
Ka rinisur pas një ndërprerje prej disa minutash mbledhja e grupit të punës së Këshillit Politik. Burime nga brenda takimit konfirmojnë për A2, se përfaqësuesit e opozitës kanë përsëritur qëndrimin e përcjellë edhe mbrëmjen e djeshme përmes e-mail-it, se deklaratat e kryeministrit Edi Rama po minojnë procesin.
Burimet thanë se pas këtyre qëndrimeve, bashkëkryetari i komisionit, Damian Gjiknuri, tha se grupi i punës nuk dihet të merret me deklarimet politike të partive, por do të duhet të vazhdohet puna në këshill për të ecur përpara me reformën.
Sipas Gjiknurit, deklarimet politike që bëhen nga partitë nuk kanë pse ndikojnë në vazhdimësinë e punës. Pas këtyre qëndrimeve, tani po vijon mbledhja për diskutimin për ndryshimin e sistemit.
Pas raportimit të ekspertëve për punën e bërë deri më tani do të bëhet prej tyre edhe vlerësimi i pyetjeve që i janë bërë nga përfaqësuesit politikë, nëse propozimet e bëra për sistemin, prekin apo jo kushtetutën dhe si mund të adresohen si procedurë. (A2 Televizion)