
Rinis në Londër beteja ligjore e Julian Assange për të shmangur ekstradimin në Shtetet e Bashkuara, ku akuzohet për veprimtari kriminale mbi aktivitetin e website-it WikiLeaks. Autoritetet amerikane e akuzojnë australianin 49-vjeçar, Assange, se ka konspiruar për të hakuar kompjuterat qeveritarë, gjithashtu për shkelje të një ligji për spiunazhin, me informacionet konfidenciale të lëshuara nga WikiLeaks gjatë periudhës 2010-2011.
Assange shihet nga admiruesit e tij në mbarë botën si një kampion i fjalës së lirë dhe i gazetarisë investigative, që bëri publike raste abuzimi me pushtetin dhe praktika të tjera të dyshimta të forcave të armatosura të SHBA duke sfiduar me guxim superfuqinë globale. Kritikët e tij në Uashington dhe në vende të tjera të perëndimit, thonë se Assange duke publikuar dokumente të paautorizuara, vuri në rrezik jetën e shumë njerëzve ne Irak, Iran dhe Afghanistan, të cilët në një mënyrë a në tjetrën kishin ndihmuar Shtetet e Bashkuara.
Të shumta janë edhe kritikat mbi publikimin nga WikiLeaks në vitin 2016, gjatë fushatës presidenciale, të dokumenteve të vjedhura nga Komiteti Kombëtar Demokrat, duke dëmtuar kandidaten Hillary Clinton. Assange i mohon akuzat e hetuesve amerikan të cilët pretendojnë se dokumentet janë siguruar nga hakerat rus.
10 vite trazirash gjyqësore
Gjithsesi, kjo çështje nuk është pjesë e këtij procesi gjyqësor. Sipas skuadrës së mbrojtësve ligjorë të Assange në Londër, akuzat e Shteteve të Bashkuara ndaj klientit të tyre janë tërësisht politike dhe një kërcënim për lirinë e shtypit. Ata gjithashtu ngrenë shqetësimin mbi një vetëvrasje të mundshme të themeluesit të WikiLeaks, nëse ekstradohet në Shtetet e Bashkuara ku mund të vuajtë disa vite burg. Në muajin mars, avokatët kërkuan lirimin me kusht të Assange si kontingjent vulnerabël ndaj koronavirusit.
Kërkesa u refuzua me arsyetimin se ai mund të zhduket pa lënë gjurmë. Trazirat e procesit gjyqësor të Assange datojnë në 2010-n kur ai nisi një betejë kundër ekstradimit në Suedi ku akuzohej për ngacmim seksual, akuza të cilat më pas u hodhën poshtë.
“Ne biem dakord që nëse prokurori suedez që lëshoi urdhërarrestin në këtë rast nuk është një autoritet gjyqësor për qëllimet e veprës, atëherë urdhri nuk është i vlefshëm dhe nuk ka asnjë bazë ligjore për ekstradimin e zotit Assange në Suedi”, deklaroi në gjyq Dinah Rose, avokatja e Assange.
Shumica ka arritur në përfundimin se prokurori publik suedez është një autoritet gjyqësor. Për pasojë, kërkesa për ekstradimin e zotit Assange është bërë në mënyrë të ligjshme dhe ankesa e tij kundër ekstradimit është hedhur poshtë në përputhje me rrethanat.
I “burgosur” në ambasadë
Në qershor të 2012, pasi mbaroi gjithë resurset ligjore dhe duke rrezikuar ekstradimin, Assange kërkoi strehim në ambasadën e Ekuadorit, në një apartament në katin e parë të një ndërtese në qendër të Londrës. Ai qëndroi aty për 7 vite, për të evituar arrestimin, periudhë gjatë së cilës u bë me dy fëmijë, ekzistenca e të cilëve u mësua vetëm këtë vit. Pasi Ekuadori revokoi azilin, Assange u nxor nga ambasada në prill të 2019-s dhe u dërgua në burg për shkelje të lirimit më kusht në vitin 2012. Ai vijon të qëndrojë në burg duke pritur vendimin mbi kërkesën për ekstradim nga Shtetet e Bashkuara. Seancat dëgjimore u zhvilluan në muajin shkurt dhe pritej të rinisnin në maj, por u shtynë për shkak të shpërthimit të pandemisë COVID-19.
Gjykata do të dëgjojë tashmë të thirrurit e palës mbrojtëse, të cilët do të dëshmojnë mbi motivimin politik të procesit të tij, mbi rrezikun e shëndetit mendor të Assange, po ashtu do të ngrenë pretendimet se kushtet në burgjet amerikane shkelin ligjet e Mbretërisë së Bashkuar për të drejtat e njeriut dhe se ai dhe avokatët e tij u spiunuan ndërsa themeluesi i WikiLeaks ishte në ambasadën e Ekuadorit. Stella Moris, partnerja dhe mamaja e fëmijëve të Assange ka ndërmarrë një fushatë financiare duke arritur të mbledhë, deri më tani, 88 mijë stërlina për të përballuar shpenzimet ligjore. (A2 Televizion)