
Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, kritikon presidentin Hashim Thaçi. Reagimi erdhi pasi Thaçi pohoi të martën se nuk ka vullnet që të marrë pjesë në proceset negociuese të Bashkimit Europian që udhëhiqen nga Miroslav Lajçak.
“Një lider i përgjegjshëm duhet të flasë me negociatorët ndërkombëtarë, nuk është një zgjedhje personale. Miroslav Lajçak e ka dëshmuar se ai është duke punuar për negociatat e orientuara drejt rezultatit”, shkruan von Carmon në Twitter.
Një ditë më parë, Thaçi kritikoi Bashkimin Europian duke theksuar se ka zgjedhur dy zyrtarë për dialogun me Serbinë, të cilët nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Presidenti kosovar shtoi se Lajçak madje ka votuar kundër pavarësisë dhe anëtarësimit të Kosovës në Unesko. (A2 Televizion)