
Historiani Romeo Gurakuqi në Intervistë me Merita Haklajn foli dhe për çështjen e rishkrimit të historisë së Shqipërisë.
Pasi nënvizoi se ata që ndërmarrin një iniciativë të tillë duhet të jenë ekspertë, Gurakuqi deklaroi se tashmë disa historianë e kanë shkruar një pjesë të historisë me vullnetin e tyre dhe pa financime, ndërkohë që shoi se shkolla e historisë në Shqipëri ende nuk ka pësuar reformimet e nevojshme.
“Rishkrimi i historisë. Janë disa historianë të pafinancuar, por me vullnet për të rishkruar historinë me metodologji shkencore pa kopjuar që tashmë e kanë shkruar historinë e shekullit të XX. Këto iniciativat zyrtare nuk e di si mund të realizohen. Edhe në kohën e diktaturës ata që e kanë shkruar historinë kanë qenë specialistë. Unë nuk e kuptoj sesi njerëz që nuk kanë studiuar për një periudhë të caktuar historike të shkruajnë një histori gjenerale. Ata që marrin përsipër të drejtojnë këto ekipe duhet të bëjnë disa shpjegime. Cila është metodika. Kush janë kriteret? Si është shpërndarë puna?
Një numër studiuesish që nuk janë të përfshirë e kanë shkruar tashmë një pjesë të historisë pa mbështetje dhe vetëm me vullnet. Historia e shekullit të 20 tashmë është shkruar dhe e mesjetës para turke, historianë të caktuar e kanë shkruar. Nuk e besoj se historia që mësohet në shkolla është pa dogma. Është ndjekur procedura e lëmimit. Shkolla e historisë në Shqipëri ende nuk ka pësuar reformimet e nevojshme, para së gjithash në përgatitje metodologjike dhe filozofike të njohjes së shkollave. Ne nuk kemi një bibliotekë kombëtare”, tha Gurakuqi. (A2 Televizion)