
Madridi dhe Barcelona rizgjohen nga gjumi disamujor, me baret, restorantet e parqet që filluan të presin sërish njerëz nga kjo e hënë. Dy qytetet më të mëdha të Spanjës, e gjithashtu më të prekurat nga kriza shëndetësore iu bashkuan pjesës tjetër të vendit duke kaluar nga faza zero, në fazën e parë të rikthimit gradual në normalitet.
Një pjesë e kufizimeve u hoqën, mes ngadalësimit të ndjeshëm të përhapjes së koronavirusit. Baret dhe restorantet në ambient të hapur do të funksionojnë më kapacitet të përgjysmuar, ndërsa do të lejohen grumbullimet deri në 10 persona.
Kryeministri Pedro Sanchez njoftoi të shtunën se Spanja do të rihapte dyert për turizmin ndërkombëtar nga muaji korrik. Sektori i goditur rëndë është jetësor për ekonominë dhe kontribuon me 12% të të ardhurave në Spanjë. Pronarët e restoranteve në Barcelonë shqetësohen se ky sezon turistik nuk do të jetë i frytshëm.
Spanja është muajin e tretë të emergjencës kombëtare, pasi vuajti një prej bilanceve më tragjike në botë nga koronavirusi. Vendi që ndërmori disa prej masave më të rrepta të izolimit në botë, numëron mbi 28 mijë vdekje dhe 235 mijë raste me Covid-19. (A2 Televizion)