Roberta Metsola zgjidhet presidentja e re e Parlamentit Europian, pas vdekjes së David Sassoli

Nga A2 CNN
18 Janar 2022, 12:41 | Bota
Roberta Metsola zgjidhet presidentja e re e Parlamentit Europian, pas vdekjes

Roberta Metsola, politikane kristian-demokrate nga Malta, e njohur për qëndrimin kundër abortit do të jetë presidentja e re e Parlamentit Europian. E zgjedhur në këtë post pas vdekjes së David Sassolit, 43-vjeçarja bëhet gruaja e tretë dhe më e reja në moshë, në krye të organit legjislativ të bllokut. Sassoli ndërroi jetë javën e kaluar për shkak të problemeve serioze me sistemin imunitar, por mandati i tij do të përfundonte këtë javë dhe ai kishte thënë se nuk do të rikandidonte.

“Atyre që duan ta shkatërrojnë Europën, u them se kjo shtëpi është kundër jush. Europa është rikthyer. Europa është e ardhmja. Rroftë Europa!”, deklaroi Roberta Metsola.

Metsola, pjesëtare e Partisë Popullore Europiane të qendrës së djathtë, ishte mes 4 kandidatëve në garë për pozicionin, bashkë më spanjollen e së majtës radikale Sira Rego, polakun euroskeptik Kosma Zlotowski dhe suedezen Alice Bah Kuhnke nga radhët e të gjelbërve.

Zlotowski hoqi dorë nga gara para nisjes së votimit, duke i hapur rrugën Metsolës, që mblodhi mbështetjen nga të gjitha partitë e qendrës dhe ato konservatore.

Maltezja siguroi 458 vota në favor në parlamentin më 705 vende. Deputete që prej prej 2013-s, dhe zëvendëspresidente e Parlamentit nga viti 2020, ajo tërhoqi vëmendjen së fundmi, pasi zëvendësoi Sassolin, i cili mungoi për disa javë për shkak të sëmundjes.

Por nëna e 4 fëmijëve është vënë në qendër të kritikave nga disa kolegë, për shkak të pikëpamjeve kundër abortit. Si ligjvënëse e të vetmit vend të BE-së, ku praktika është totalisht e paligjshme, ajo ka votuar vazhdimisht kundër rezolutave që e njohin abortin të drejtë të njeriut. Megjithatë, ajo është mbrojtëse e fortë e të drejtave të grave dhe e komunitetit LGBTQ. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos