Helmetat janë një gjë e zakonshme në Romë. Mbahen nga qindra e mijëra drejtues motorësh, që shërbejnë për të lëvizur më lehtë nëpër qytet. Por tashmë do t’i shihni ato edhe brenda terminaleve të aeroporteve. Aeroporti i “Fiumicino”-s është i pari në Europë që ka nisur përdorimin e “helmetave të zgjuara” për të kontrolluar temperaturën e udhëtarëve. Helmetat janë të pajisura me një termo-skaner portabël, që skanon njerëzit me simptomat e koronavirusit të ri, nga një distancë e sigurt, deri në 7 metra.
Stafi i aeroportit do të mbajë në kokë këtë helmet të stilit Robocop, bashkë me maskën, dorezat dhe uniformat e tyre, njësoj si ikona e filmit të vitit 1987. Kështu ata janë gati për të ndihmuar për të mbrojtur qytetarët. Ngjitur me helmetat janë pozicionuar edhe kamerat dhe termo-skaneri që mat temperaturën e trupit. Një pamje e qartë e skanimit transmetohet në pjesën e brendshme ballore dhe reflektohet menjëherë, në mënyrë që edhe vetë pasagjeri të mund të informohet.
“Kjo është një helmet e mençur, e pajisur me një kamera termike, e aftë për të gjurmuar temperaturën e trupit të njeriut. Është si një kamera normale. Imazhet transmetohen dhe përpunohen në pjesën e brendshme dhe projektohen më pas në pjesën ballore, në mënyrë që edhe vizitori ta shohë. Kamera mund të detektojë temperaturën e një njeriu të vetëm, apo edhe në grup, sipas standardit të vendosur nga Instituti Kombëtar Italian për Shëndetësinë”, shpjegon Massimiliano Moretto, kryeinxhinier në “Sielte Spa”.
Deri më tani, vetëm 3 helmeta po operojnë në aeroportin e “Fiumincino”-s, që përdoren nga stafi që ecën përqark terminalit. Ata shpresojnë që të mund të arrijnë në 5 pajisje të tilla sa më parë, pasi i frikësohen rritjes së numrit të pasagjerëve me rihapjen e kufijve.
“Aeroporti i Romës është i pari në Evropë, që ka në dispozicion këtë helmetë, numri të cilave shpresojmë të shkojë në 5. Shtete të tjera që e përdorin janë edhe helmetat në Azi”, Simonluca Tiberia, inxhinier nga “Telco”.

Aeroporti i “Fiumincino”-s kanë shtuar në maksimum masat e sigurisë pasi Italia kaloi prej 4 majit në atë që njihet si “Faza II” ndërsa e gjithë hapësira e tij dezinfektohet çdo ditë, por mesa duket vetëm kaq nuk mjafton. Fiumincino është një nga aeroportet me më shumë fluks udhëtarësh në Itali. Vetëm në 2019 përmes tij udhëtuan 43,5 milionë pasagjerë ndërsa në janar të këtij viti, numri i tyre i kaloi 2,7 milionë për vetëm 30 ditë.
Që prej shpërthimit të pandemisë, numri i pasagjerëve shënoi rënie me 95% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Aeroporti e mbylli terminalin më 1 mars. Pavarësisht rihapjes graduale që prej 4 majit, aeroporti mbetet thuajse i shkretuar, me shumë pak pasagjerë, kryesisht turistë të huaj që kanë lënë Italinë për të udhëtuar drejt vendeve të tyre, pas 2 muajsh të izoluar në Itali. (A2 Televizion)