Ronaldo apo Fernandes, sqarohet përfundimisht kush e shënoi golin ndaj Uruguait

Nga A2 CNN
29 Nëntor 2022, 13:30 | Futboll

Një debat është hapur mbrëmjen e djeshme se kush e shënoi golin e parë të Portugalisë ndaj Uruguait, Bruno Fernandes apo Cristiano Ronaldo.

E gjithë polemika nisi, sepse CR 7 insistoi pas ndeshjes se ishte pikërisht ai që e kishte prekur i fundit topin e hedhur nga Fernandes në zonë, i cili përfundoi më pas në rrjetë për t’i dhënë avantazhin portugezëve në ndeshjen e vështirë të grupit.

Për këtë çështje, ka reaguar zyrtarisht dhe Adidas, si prodhuesi i topit të kompeticionit, i cili këtë herë është i pajisur me një supersensor.

Në komunikatën për shtyp të Adidas shkruhet se pas përdorimit të teknologjisë së re “Connected Ball Technology” në topin zyrtar të kampionatit është arritur në konkluzionin se CR 7 nuk e ka prekur fare sferën në golin e parë të ndeshjes.

“Asnjë forcë e jashtme nuk e ka prekur topin ndërsa hynte në rrjetë dhe kjo shihet dhe në tabelën e ngjashme me atë të rrahjeve të zemrës që përdor teknologjia e re”, shkruhet mes të tjerash. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos