
Policia e Fierit në bashkëpunim me Krimin Ekonomikë dhe prokurorinë konfiskoi pasuritë e 3 shtetasve të cilët dyshohet se i kanë përfituar nga veprimtaria e tyre kriminale.
Kështu në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë u konfiskuan 4 apartamente në Durrës dhe një automjet në pronësi të shtetasve Ç. A., 37 vjeç, K. L., 32 vjeç dhe M. H., 29 vjeç.
Këta shtetas në bashkëpunim me njëri tjetrin, dyshohet se në 5 maj 2011 rrëmbyen një shtetas grek, pronar i një shoqërie tregtare private, me qëllim përfitimi dhe iu kanë marrë familjarëve të tij shumën 1 milion e 300 mijë euro.
Konfiskimi u krye për llogari të procedimit pasuror të filluar për këta shtetas, pasi janë subjekt i ligjit “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”. (A2 Televizion)