
Niveli i ujit është rritur ndjeshëm gjatë kësaj të hëne dhe në mënyrë të veçantë në fshatrat Dajç dhe Obot të Bashkisë së Shkodrës, ku gjithçka është e mbuluar nga uji.
Në zonat e përmbytura, tashmë prej më shumë se katër javësh, ka qenë kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi dhe administratorët e zonës. Sipas Ademit, situata është mjaft e vështirë, me mungesa të theksuara, kryesisht të ushqimit për bagëtitë. Ndërsa qeveria, sipas saj, po tregohet e pamëshirshme me fatkeqësinë e këtyre njerëzve.
Në fshatin Obot, mbrëmë ka pasur edhe një emergjencë mjekësore, ku një vajzë e mitur ka pasur shqetësime shëndetësore. Vajza është transportuar me barkë drejt autoambulancës.
Sakaq, KESH raporton se mëngjesin e kësaj të hëne, hidrocentralet në kaskadën e Drinit shkarkojnë vetëm 400 m3 ujë në sekondë, plus shkarkimet si pasojë e prodhimit të energjisë elektrike. (A2 Televizion)