Rrezik për një luftë të re, Kina nis manovrat e paprecedenta rreth Tajvanit

Nga A2 CNN
4 Gusht 2022, 11:38 | Bota
Rrezik për një luftë të re, Kina nis manovrat e paprecedenta

Kina nisi stërvitjen më të madhe ushtarake të realizuar ndonjëherë rreth ishullit të Tajvanit, në vazhdën e tensioneve pas vizitës në ishull të zyrtares së lartë demokrate në SHBA, Nancy Pelosi. Mediat shtetërore kujtojnë se bëhet fjalë për manovra ushtarake dhe stërvitore të shkallës së gjerë, ku përfshihen të shtëna me artileri dhe hedhje raketash.

“Rreth orët 13:00 të 4 gushtit, forcat e armatosura të komandës lindore të ushtrisë kineze qëlluan me artileri si pjesë e stërvitjeve në ngushticën e Tajvanit dhe ndërmorën sulme të precizionit të lartë, me rezultatet e pritura”, njoftoi prezantuesi i CCTV.

Manovrat ushtarake, detare dhe ajrore zhvillohen në 6 zona rreth ishullit të pretenduar nga Kina, në një demonstrim të qartë të forcës ushtarake të Pekinit. 2 raketa kineze u lëshuan pranë brigjeve verilindore të Tajvanit, e po ashtu pati të shtëna me artileri. Helikopterët ushtarakë fluturuan mbi ishullin Pingtang, një prej pikave më të afërta me Tajvanin, e po ashtu rreth 10 anije të Pekinit kaluan për pak kohë kufirin detar mëngjesin e së enjtes.

Tajvani, i cili ka pozicionuar sisteme antiraketore dhe luftanije për të monitoruar aktivitetin kinez, tha se po përgatitej për luftë, pa e kërkuar një të tillë.

Autoritetet akuzuan Pekinin se po përpiqeshin të ndryshonin status quo-në në rajon.

 “Qeveria jonë është gjithnjë e më e vendosur për të ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial të kombit tonë. Përballë zhvillimeve të fundit, qeveria jonë jo vetëm do të fuqizojë aftësitë mbrojtëse, por do të mbajë lidhje të ngushta e vende si SHBA-ja. Së bashku do të mbrojmë rendin, sigurinë dhe lirinë e Tajvanit”, deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme.

Pekini e cilësoi një provokim të pajustifikueshëm vizitën e Pelosit në ishullin që e konsideron të vetin, dhe njoftoi një sërë masash ekonomike në kundërpërgjigje të vizitës. Komuniteti ndërkombëtar ndjek me shqetësim zhvillimet dhe bën thirrje për vetëpërmbajtje. Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josef Borrell, tha se nuk ka justifikim për përdorimin e vizitës së Pelosit, si pretekst për aktivitetin ushtarak pranë Tajvanit. Në të kaluarën, Pekini nuk ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës për të marrë kontrollin e ishullit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos