
Ka një fund të mirë aventura e katër peshkatarëve shqiptarë që rrezikuan mbytjen në ujërat pranë ishullit të Sazanit, mëngjesin e të së shtunës.
Sipas deklaratës së policisë, rreth orës 2 të natës peshkarexhi me emër “Vasili LN” pati një problem teknik në pompën e ujit dhe si pasojë filloi të fuste ujë dhe të mbytej.
Ekuipazhi i përbërë nga 4 persona arriti të njoftojë për emergjencën e tyre kapitanerinë e portit të Vlorës, e cila aktivizoi forcat e shpëtimit me në krye Rojën Bregdetare.

Nga errësira dhe kushtet atmosferike forcat e shpëtimit nuk mundën të identifikonin në det peshkatarët, të cilët ndërkohë kishin humbur mjetin lundrues i cili ishte fundosur dhe po rezistonin në mëshirë të fatit duke u mbajtur në disa mjete plastike.
Fati i tyre u shfaq vetëm në mëngjes, rreth 6 orë më vonë, kur në horizont u shfaq silueta shpëtimtare e tragetit Red Star, i cili vepron në linjën Brindizi-Vlorë.
Sipas pasagjerëve të shumtë që po asistonin momentet e shpëtimit, peshkatarët ishin në gjendje të vështirë psikologjike, dhe me gjasa nuk do të kishin rezistuar edhe shumë kohë. Pasi iu është dhënë ndihma e shpejtë si dhe veshje të ngrohta dhe ushqim, gjendja e tyre u përmirësua dhe mund të thuhet që kanë kaluar pa pasoja fizike domethënëse aventurën e hidhur. (A2 Televizion)