
Të pakënaqur me sa shpejt dhe sa shumë Bordi i Transparencës ul dhe ngre çmimet, zërat e atyre që kërkojnë shkrirjen e tij shtohen javë pas jave. Mirëpo, kur kemi gati 1 vit që çmimi i naftës përcaktohet me çmim tavan sipas një formule, fenomeni i mosndjekjes në kohë i ecurisë të bursave është ndjeshëm më i vjetër.
Në këtë përfundim ka arritur Autoriteti i Konkurrencës pas një hetimi në tregun e karburanteve, që mbulon periudhën tetor 2021-shkurt 2022, kohë përpara ngritjes së Bordit të transparencë.
“Në fillim të vitit 2022, rritja e çmimit të karburanteve naftë dhe benzinë, në bursat ndërkombëtare ka pasur një reflektim të shpejtë si raketë, të rritjes dhe reflektim më të ngadaltë të rënies si pupël, tek çmimi përfundimtar i shitjes për konsumatorin në territorin e Republikës së Shqipërisë.”
Kjo problematikë për ekspertët i ka rrënjët te përqendrimi i lartë i tregut të karburanteve në pak duar.
“Kemi një dominancë të kësaj natyre me operatorë të njëjtë apo të ngjashëm në historinë e të paktën 15 viteve të fundit ku tregu është dominuar nga 2-3 aktorë. Autoriteti i Konkurrencës ka kryer hetime dhe dhënë rekomandime, por ato nuk janë zbatuar”, tha eksperti Gjokutaj.
Mirëpo as Bordi i Transparencës nuk ka arritur të ruajë ekuilibrat në konkurrencën mes operatorëve në tregun e hidrokarbureve, sipas Autoritetit të konkurrencës.
“Çmimet e rekomanduara mund të ndihmojnë koordinimin e çmimeve midis konkurrentëve si pasojë e transparencës, por krijojnë një mungesë të konkurrencës efektive. Ato mund të çorientojnë konsumatorët rreth nivelit të arsyeshëm të çmimit.”
Për ekspertët, kur qeveria po konsideron shkrirjen e bordit, zgjidhja për të kontrolluar çmimet e kripura të naftës, benzinës e gazit është të vazhdojë kontrolli i rreptë ndaj kompanive.
“Me heqjen e bordit, tregu do të kthehet në ofertë-kërkesën që natyrshëm ka. Në këto kushte duhet që rekomandimet e mëhershme të Autoritetit të Konkurrencës të zbatohen dhe të rriten kontrollet ndaj pikave të karburanteve”, u shpreh eksperti Gjokutaj.
Pavarësisht problematikave që nxjerr në pah, Autoriteti i Konkurrencës nuk ka gjetur prova për bashkëpunim mes kompanive të karburanteve në caktimin e çmimeve. (A2 Televizion)