
Jo vetëm ushqimet dhe karburanti, por edhe çmimet e qirave po rriten ndjeshëm. Agjentët imobiliarë konfirmojnë se jetesa në Tiranë po bëhet më e kushtueshme, teksa japin edhe arsyet që po ndikojnë në këtë shtrenjtim.
Çmimi i qirave në kryeqytet është shtrenjtuar ndjeshëm, si për zonat pranë qendrës, ashtu edhe për periferitë. Rritja vlerësohet nga 10-20%, sipas vëzhgimeve të tregut. Sipas agjentëve imobiliarë, rritja e çmimeve konstatohet edhe për shitjen e apartamenteve dhe rrjedhimisht, kjo ka çuar që edhe qiratë e tyre të jenë më të larta.
Agjentët imobiliarë shpjegojnë se shtrenjtimi i qirave ka ndodhur edhe për faktin se pronarët e tyre po shpenzojnë më shumë në rritjen e standardit për mobilim apo për cilësinë e banesës.
Shtrenjtimi i qirave është bërë thuajse i papërballueshëm për qytetarët, veçanërisht ata me të ardhura të ulëta. Niveli aktual mund të përballohet vetëm nga të huajt, të cilët jetojnë në kryeqytet kryesisht për arsye pune ose investimi. (A2 Televizion)