
Qyteti i dytë më i madh i Australisë, Melburn, i rikthehet masave të rrepta të kufizimit, ndërsa autoritetet po luftojnë të vënë në kontroll shpërthimin e ri të infektimeve me Covid-19.
Duke nisur nga e mërkura, banorët nuk do të lejohen të dalin nga banesat e tyre, përveçse për arsye thelbësore; si blerje ushqimesh apo për të shkuar në punë.
Njoftimin e dha kryeministri i shtetit të Victorias, Daniel Andrews.
“Ekipi i ekspertëve të shëndetësisë më këshilloi të riktheja kufizimin e qëndrimit në shtëpi përgjatë 6 javëve të ardhshme. Nuk ka asnjë alternativë tjetër për të parandaluar tragjedinë që do të pasonte pas infektimit të mijëra personave”, u shpreh Daniel Andrews, kryeministër i Victorias.
Sipas urdhrit të ri, kafenetë dhe restorantet që u lejuan të rihapeshin javë më parë do t’u rikthehen shërbimeve “Take away” dhe dërgesave në shtëpi. Qendrat e bukurisë ashtu si edhe ato kulturore e argëtuese do të mbyllen.
Masat ndërmerren pasi shteti i Victorias regjistroi një tjetër rritje rekord të rasteve ditore me koronavirus, prej 191 infektimesh të reja në 24 orët e fundit.
Përmes një grafike u tregua se cilat zona të Melburnit do të izolohen. Më herët shteti kishte rivendosur kufizimet në disa periferi rreth Melburnit.
Të hënën autoritetet njoftuan se kufiri mes Victorias dhe Uellsit të Ri jugor, dy shtetet më të populluara australiane do të mbylleshin mbrëmjen e së martës, duke e izoluar atë nga pjesa tjetër e vendit.
Kjo është hera e parë në 100 vjet, që prej gripit spanjoll në vitit 1919, që ndërmerret një masë e tillë.
Australia është mes vendeve që e ka menaxhuar më mirë pandeminë e që prej fillimit numëron rreth 8700 të infektuar dhe 106 viktima. (A2 Televizion)