Rudina Hajdari: Marrëveshja, pozitive për integrimin, mora garanci për ndryshimin e sistemit

Nga A2 CNN
5 Qershor 2020, 21:38 | Politikë
Rudina Hajdari: Marrëveshja, pozitive për integrimin, mora garanci

Deputetja demokrate dhe bashkëkryetarja e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Rudina Hajdari e konsideroi një hap shumë të rëndësishëm për integrimin e vendit, akordin e arritur në Këshillin Politik për Kodin e Ri Zgjedhor.

Hajdari deklaroi se në këtë marrëveshje duheshin përfshirë dhe elementë të tjerë dhe zbuloi se ka marrë garancinë e SHBA dhe BE se bisedimet për ndryshimin e sistemit zgjedhor do të vijojnë.

“Sot pati një marrëveshje dhe besoj se efekti pozitiv i saj është hapja e rrugës të Shqipërisë drejt BE. Në mënyrë që kjo të mundësohej duhej arritur një kompromis për gjërat që po bënim. Por ju garantoj që nuk ka qenë një gjë e lehtë. Vërtetë që kjo të quhej një reformë duhet të kishte dhe elementë të tjerë dhe jo vetëm këto që u pasqyruan në këtë draft. Duhej patjetër që të shpreheshim për ndryshimin e sistemit zgjedhor, të cilët nuk patën kompromis për këtë çështje.

Nëse do të isha vetëm unë ajo që do e bllokonte këtë marrëveshje, atëherë do të dukej sikur unë nuk e dua BE. Besoj se ajo që është e dukshme është fakti që opozita parlamentare qëndroi në parlament për t’i shtruar Shqipërisë për të gjitha reformat që të mos ketë ngecje. Në Shqipëri nuk ka vetëm dëmtim të procesit zgjedhor, por edhe të demokracisë. Ne e dimë që mazhoranca e ka kapur pushtetin dhe e trajton si plaçkë.

Unë sot mora garanci më së tepërmi nga ambasadat e SHBA dhe BE se bisedimi për ndryshimin e sistemit do të vazhdojë. Si dhe do të flasim dhe për ligjin e referendumeve dhe votimin e diasporës”, tha Hajdari. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos