
Edhe pse ekspertët vlerësojnë se ofensiva rusë në Ukrainë nuk po shënon avancim, ushtria e Vladimir Putin vazhdon të bombardojë qytetet rreth vendit. Një pallat 12-katësh në Kiev u bë shënjestër e një sulmi rus mëngjesin e së mërkurës, me pasojë plagosjen e dy personave.
Qyteti është në shtetrrethim deri të enjten ndërsa kryebashkiaku Vitali Klitchko e cilësoi situatën si shumë të rrezikshme. Gjatë natës u qëlluan godina banimi në Kiev dhe zonën e Zaporizhias, pranë centralit bërthamor. Trupat ruse bombarduan nga edhe brigjet pranë Odesës, qyteti i tretë më i madh në vend.
Siç raportohet u hodhën raketa dhe u qëllua me artileri, por për momentin nuk janë sinjalizuar përpjekje për zbarkim të trupave. Shërbimi i emergjencës në qytetin verilindor të Kharkiv thonë se të paktën 500 banorë janë vrarë që kur Rusia nisi ofensivën më 24 shkurt. Qyteti strategjik ka qenë nën zjarrin konstant të trupave të Putinit, por sipas ekspertëve trupat ruse atje përballen me mungesë municionesh.
Moska vijon të bombardojë qytetin e rrethuar të Mariupol, ku 400 mjekë e pacientë u raportuan si të marrë peng nga ushtria pushtuese. Disa mijëra vetë janë evakuuar nga qyteti port dhe zona të tjera të përfshira nga luftimet, por autoritetet ukrainase thonë se trupa ruse qëllojnë vazhdimisht mbi autobusë dhe pika evakuimi.
Ushtria vendase thotë se ka shkatërruar avionë lufte të Moskës, ka rrëzuar raketa dhe i ka shkaktuar humbje katastrofike trupave në terren. Por sipas ministres së mbrojtjes në Britaninë e Madhe, Moska do të dërgojë përforcime nga i gjithë vendi për të kompensuar humbjet në Ukrainë. (A2 Televizion)