Rusia optimiste për marrëveshje, Ukraina refuzon modelin austriak dhe suedez për neutralitetin

Nga A2 CNN
16 Mars 2022, 16:29 | Bota
Rusia optimiste për marrëveshje, Ukraina refuzon modelin austriak dhe

Rusia pretendon se është afër marrëveshjes për paqe me Ukrainën. Ministri i Jashtëm, Sergej Lavrov foli me tone pozitive për negociatat mes delegacioneve dhe pret që Kievi të pranojë statusin neutral ushtarak. Gjithashtu shtoi se në ujdi do të përfshihen dhe garancitë për sigurinë.

Ndërsa kreu i delegacionit rus, Vladimir Medinksy, njoftoi se Ukraina është e gatshme të pranojë një status neutraliteti të modelit austriak ose suedez. Këtë version e konfirmoi dhe Kremlini.

“Çmilitarizimi i Ukrainës sipas versionit austriak ose suedez me ruajtjen e ushtrisë së saj, por pa praninë e bazave të huaja ushtarake, po diskutohet në negociatat midis delegacioneve të Moskës dhe Kievit dhe mund të konsiderohet si një opsion kompromisi”, tha Dmitry Peskov.

Por Kievi ka një vlerësim tjetër për ecurinë e negociatave për paqe. Anëtari i delegacionit ukrainas, Mikail Podoljak, refuzoi modelin austriak dhe suedez të propozuar nga Rusia teksa kërkoi garanci absolute për sigurinë.

“Modeli i neutralitetit mund të jetë vetëm Ukrainas”, nënvizon këshilltari i presidentit Volodymyr Zelensky.

Podoljak shtoi se Ukraina tani është në luftë të drejtpërdrejtë me Rusinë dhe garancitë për sigurinë duhet të jenë ligjore, efektive dhe jo protokollare.

“Shtetet firmëtare duhet të angazhohen përkrah Kievit në rast të ndonjë agresioni të mundshëm”, tha negociatori ukrainas, duke sqaruar se ato vende do të marrin pjesë aktive në luftë dhe se në moment do të mbyllin hapësirën ajrore të Ukrainës ndaj sulmeve raketore.

Gjithashtu vendet garantuese do të ofrojnë furnizime të menjëhershme të sasive të nevojshme të armëve.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos