
Irani dhe Rusia po shkojnë drejt një partneriteti të plotë ushtarak. Zëdhënësi i Këshillit Kombëtar të Sigurisë, John Kirby, paralajmëroi se Moska po i ofron nivel të paprecedent mbështetjeje ushtarake Teheranit, përfshirë këtu furnizimin me sisteme të mbrojtjes ajrore, helikopterë dhe avionë luftarakë.
Kirby tha se Rusia dhe Irani po e shqyrtonin mundësinë e ndërtimit të përbashkët të dronëve, ndërsa Moska po stërvit pilotë iranianë për avionin luftarak Sukhoi Su-35, me të cilin mund të furnizohet Irani brenda vitit.
“Këta avionë luftarakë do ta përforcojnë dukshëm forcën ajrore të Iranit në krahasim me fqinjët e tyre rajonal”, tha Kirby.
Këshilltari i lartë shtoi se ky transferim i armëve shkel rezolutat e Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara dhe se SHBA-ja do të “përdorë mjetet që ka në dispozicion për t’i ekspozuar dhe ndalur këto aktivitete”.
Shqetësimet lidhur me përforcimin e partneritetit mes Rusisë dhe Iranit vijnë pasi administrata Bidenit e ka akuzuar vazhdimisht Iranin se po ndihmon Rusinë në luftën kundër Ukrainës. Sipas SHBA, Irani i kishte shitur qindra dronë luftarakë Rusisë gjatë verës. Të premten, Kirby ritheksoi qëndrimet e administratës amerikane se Irani po e shqyrton mundësinë t’i shesë Rusisë qindra raketa balistike, por shtoi se SHBA-ja nuk ka "një pamje të qartë " se përse marrëveshja nuk është arritur dhe zbatuar ende.
Në një takim të Këshillit të Sigurisë të OKB-së, të thirrur nga Rusia, ambasadori i Moskës, Vassily Nebenzia, mohoi pretendimin se Irani po e furnizon me armë. (A2 Televizion)