
Turqia nuk po planifikon një operacion të ri ushtarak në Siri, përkundër komenteve të mëhershme. Kështu shprehet ministri i jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, i cili thotë se për këtë ka marrë siguri nga Ankaraja.
Kryediplomati i Moskës, gjatë një konference, nënvizoi se tërheqja e militantëve kurdë është kryer në pjesën më të madhe të Veriut të Sirisë. “Askush në Ankara nuk ka rezerva për punën që Rusia po bën. As miku dhe kolegu im Çavusoglu dhe as zëdhënësi i presidentit Erdogan nuk kanë folur për rinisjen e “Operacionit të Paqes”, u shpreh Lavrov.
Më herët agjencia shtetërore e lajmeve, Anadollu, duke cituar ministrin e jashtëm turk, raportoi se Ankaraja do të niste një operacion të ri ushtarak në Siri nëse zona veriore nuk do të spastrohej nga militantët kurdë. (A2 Televizion)