4 zjarrfikës dhe 6 oficerë mbetën të plagosur në Reggio Calabria si pasojë e një shpërthimi, brenda një dyqani, ku kishte rënë zjarr. Të plagosurit kanë pësuar fraktura dhe asfiksime, por asnjëri prej tyre nuk ndodhet në rrezik për jetën.
Skuadra kishte ndërhytë për të fikur një zjarr brenda një lokali, kur papritur ndodhi një shpërthim për shkak të një bombole gazi. Ngjarja ndodhi në një dyqan në rrugën Santa Lucia, në pjesën e sipërme të qytetit. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet që zjarri të jetë shkaktuar nga një shkëndijë elektrike.
Zjarrfikësit dhe oficerët e plagosur u dërguan me urgjencë në spital për të marrë ndihmën e nevojshme. Shpërthimi ka qenë shumë i fuqishëm dhe ka dëmtuar dhe disa mjete të parkuara pranë dyqanit. Vetëm disa javë më parë një ngjarje e ngjashme u regjistrua në Alessandria, ku si pasojë e shpërthimit humbën jetën 3 zjarrfikës. (A2 Televizion)