Rusia kritikon Shqipërinë në OKB

Nga A2 CNN
8 Shtator 2022, 10:50 | Aktualitet
Rusia kritikon Shqipërinë në OKB

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara diskutoi për luftën në Ukrainë. Në seancën e thirrur nga Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara pati debate të forta me Uashingtonin që akuzoi ushtrinë e Moskës për krime lufte dhe deportime me forcë. Ambasadorja Linda Thomas Greenfield, tha se ka informata se anëtarët e administratës së Vladimir Putin, po mbikëqyrin të ashtuquajturat operacione të filtrimit të popullatës në Ukrainë.

“Vlerësime nga një sërë burimesh, përfshirë qeverinë ruse, konfirmojnë se autoritetet e Rusisë kanë marrë në pyetje, ndaluar dhe deportuar me forcë nga 900 mijë deri në 1,6 milionë shtetas të Ukrainës nga shtëpitë e tyre për në Rusi. Shpesh për në rajonet e izoluara në Lindjen e largët”, tha ambasadorja Thomas-Greenfield.

“Mbledhja e sotme që erdhi me kërkesë të Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, ka çdo shans që të arrijë një nivel të ri në fushatën e dezinformimit të lëshuar nga Ukraina dhe mbështetësit e saj perëndimor kundër vendit tonë. Taktika e Perëndimit, me të cilën po zhvillon një luftë hibride në Ukrainë deri në ukrainasin e fundit kundër Rusisë, është shumë e qartë se po bën gjithçka të mundur për të shpërbërë Federatën Ruse dhe ndaluar operacionin tonë special ushtarak. Metodat e pista të Perëndimit janë shumë të njohura për ne”, tha ambasadori rus, Vassily Nebenzia.

Shefja e çështjeve politike e Kombeve të Bashkuara, Rosemary DiCarlo, i konsideroi akuzat e zhvendosjeve me forcë dhe ato të filtrimit të ukrainasve tepër të rënda dhe kërkoi hetimin e tyre. Gjithashtu, vuri në dukje bilancin e rëndë të luftës në Ukrainë, duke bërë me dije se që prej 24 shkurtit janë konfirmuar mbi 5700 civilë të vrarë, përfshirë 372 fëmijë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos