
Të paktën 23 persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën pasi një raketë ruse goditi një autokolonë humanitare në jug të Ukrainës. Një krater gjigant pranë radhës së automjeteve në qytetin e Zaporizhias dëshmon brutalitetin e sulmit. Dritaret dhe xhamat në godinat e afërta u thyen. Pamjet e xhiruara në zonë tregojnë dhjetëra trupa të shtrirë në vendin e ngjarjes, me gjasë të gjithë civilë. Autokolona u godit në orët e para të së premtes, teksa qytetarët përgatiteshin të udhëtonin drejt pjesës së pushtuar nga rusët në rajon, për të marrë të afërmit e tyre e për të dërguar ndihmë humanitare.
“Armiku ndërmori një sulm me raketë në periferi të qendrës rajonale. Pushtuesit goditën sërish ukrainasit e pambrojtur. Ky është një tjetër sulm terrorist nga një shtet terrorist”, u shpreh kreu rajonal i Zaporizhia, Oleksandr Starukh.
Rusia, e cila nisi fushatën agresive ushtarake në Ukrainë më 24 shkurt, kontrollon aktualisht pjesën më të madhe të rajonit të Zaporizhias përfshirë centralin më të madh bërthamor të Europës, por jo kryeqytetin rajonal.
Gjithashtu, në Mikolaiv, qytet në Ukrainën Jugore, u raportuan shpërthime gjatë natës, kur ushtria ruse shënjestroi një godinë rezidenciale. Sipas raportimeve, disa persona gjenden nën rrënoja.
Guvernatori Vitaly Kim njoftoi në Twitter se shpërthime të fuqishme ishin regjistruar në zonë dhe u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë në vendstrehime.
Sakaq, kryebashkiaku Oleksandr Sienkevych tha se rusët kishin qëlluar me armë zjarri në një lagje ku jetojnë vetëm civilë. Edhe mbrëmjen e së enjtes disa persona humbën jetën dhe të tjerë u plagosën, pas një sulmi rus me bombë thërrmuese, në një stacion autobusi në Mikolaiv. (A2 Televizion)