
Rusia tha se kishte testuar me sukses hedhjen e predhës hipersonike, të quajtur Zirkon, për herë të parë nga një nëndetëse. Kjo armë është vlerësuar nga presidenti Vladimir Putin si pjesë e një brezi të ri sistemesh armatimi që nuk kanë kundërshtarë.
Ministria ruse e Mbrojtjes, që testoi në korrik hedhjen e predhës nga një anije luftarake, tha se nëndetësja Severodvinsk e kishte kryer testimin në Detin Barenc, ku edhe kishte goditur objektivin me sukses. Për të mbështetur pretendimin e saj, Ministria publikoi edhe një video.
Disa ekspertë perëndimorë hodhën dyshime mbi nivelin e teknologjisë në këtë sistem të ri të Rusisë, por gjithsesi pranojnë që shpejtësia, lartësia dhe manovrimi i këtyre predhave hipersonike i bëjnë të vështira për t’u pikasur.
Në vitin 2018, kur shpalli krijimin e armatimeve hipersonike – që arrijnë një shpejtësi 5 herë më të madhe se ajo e zërit (1235 km/h) - Putin tha se mund të godiste çdo objektiv kudo në botë, dhe të shmangte sistemet mbrojtëse amerikane.
Një javë më parë, ishin amerikanët që raportuan se kishin testuar me sukses një predhë hipersonike, të lëshuar nga një avion luftarak. (A2 Televizion)