
Për herë të parë në 30 vitet e fundit, Rusia ka vendosur në lundrim një anije taktike me armë bërthamore në Detin Baltik. Këtë e konfirmon inteligjenca norvegjeze në raportin e saj të fundit, që bëhet publik nga media prestigjioze, “Politico”.
“Pjesa kryesore e fuqisë bërthamore ndodhet tek nëndetëset dhe anijet e sipërfaqes të Flotës së Veriut”, konfirmojnë shërbimet sekrete të Oslos, duke shtuar se armët bërthamore taktike janë një kërcënim jashtëzakonisht i rëndë në skenarë të ndryshëm operativ, në të cilat vendet e NATO-s mund të përfshihen.
Informacioni erdhi në të njëjtën kohë, kur në Parlamentin Europian u diskutua për pasojat shkatërruese të luftës së nisur nga Rusia në Ukrainë në përvjetorin e parë të agresionit.
“Realiteti në terren është shumë shqetësues për momentin. Më shumë se 360 mijë ushtarë rusë janë aty, dyfishi krahasuar me sa kishte në nisje të luftës. Kundërofensiva ruse ka nisur. Për herë të parë, Ukraina nuk ka avantazhin që të ketë më shumë trupa në terren. Dëshirojmë që Ukraina ta fitojë luftën. Jo vetëm duhet të vazhdojmë ndihmat për Ukrainën, por edhe t’i intensifikojmë. Dua tu bëj apel atyre vendeve që kanë tanke moderne dhe efikase, që po iu mbulohen nga pluhuri në magazina, që t’ua japin Ukrainës pasi kjo pranverë dhe verë do të jetë vendimtare për luftën”, tha Josep Borrell, përfaqësues i lartë i BE për politikë të jashtme.
“Propozojmë paketën e dhjetë të sanksioneve ndaj Rusisë me një vlerë totale prej 11 miliardë eurosh. Mes kufizimeve në eksport, kërkojmë që të ndalohen pjesë elektronike të përdorura në sistemet e armëve të Rusisë, si për shembull në dronë, raketa dhe helikopterë”, tha Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Europian.
Ndërkohë dy agjenci të Organizatës së Kombeve të Bashkuara lëshuan një apel për të grumbulluar 5,6 miliardë dollarë në ndihmë të zonave më të prekura të Ukrainës nga lufta e ashpër e Rusisë. (A2 Televizion)