Turizmi, një ndër shtyllat e zhvillimit ekonomik të vendit këtë vit është në pikëpyetje të fortë. Mbyllja e kufijve nga vendet e Bashkimit Europian, për shkak të shtimit të rasteve me koronavirus ka bërë që turizmi të varet vetëm nga pushuesit vendas, të cilët gjithashtu kanë pasiguri të forta për shkak të situatës së përgjithshme jo vetëm të pandemisë, por edhe asaj financiare. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se deri më tani, Covid-19 e ka ulur numrin e turistëve të huaj me 60%. Për 5-mujorin e parë të vitit Shqipërinë e kanë vizituar vetëm 600 mijë shtetas të huaj, nga 1.5 milionë që kishte qenë numri i tyre në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Goditja që ka marrë turizmi ka një efekt shumë të madh në ekonominë shqiptare dhe kjo është arsyeja kryesore pse pritet që Shqipëria të ketë një rënie ekonomike më të thellë se ekonomitë e vendeve fqinjë. Por për më shumë, ndjekim materialin. Për të folur më shumë lidhur me turizmit, sa do të arrijë ky sektor që këtë vit të qëndrojë në këmbë vetëm nëpërmjet pushuesve vendas, pesha që do të ketë tek ekonomia kombëtare, por edhe masat që duhen marrë për ta nxitur, të ftuar në A2 Business Eni Nasi, eksperte për ekonominë, pedagoge në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë dhe zotin Besnik Vathi, kryetar i Shoqatës së Turoperatorëve. (A2 Televizion)
Sa është prekur industria e turizmit nga pandemia e koronavirusit?
