Një pjesë e urës së Kerçit, që lidh Rusinë me gadishullin e pushtuar të Krimesë, është shembur pas një sulmi ukrainas, shkruan A2 CNN. Goditja ndaj kësaj infrastrukture strategjike vjen në një moment me rëndësi simbolike për Moskën, në prag të takimit të presidentit rus Vladimir Putin me presidentin amerikan Donald Trump dhe liderin kinez Xi Jinping në Azi.
Ura e Krimesë, e njohur edhe si ura e Kerçit, është një nga korridoret kryesore të furnizimit për trupat ruse në gadishull. Ajo ka gjithashtu një rëndësi të veçantë politike për Putinin, i cili e bëri ndërtimin e saj prioritet pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga Rusia në vitin 2014.
Ministria ukrainase e Mbrojtjes konfirmoi përdorimin e armëve të prodhuara në vend gjatë operacionit. Presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi se në sulm u përdorën raketa dhe dronë, përfshirë raketat Neptune dhe dronët Palianytsia.
Sipas Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU), nga goditjet u shkatërruan plotësisht një nga harqet metalike të urës dhe segmenti rrugor poshtë tij. Edhe pjesa hekurudhore dyshohet se ka pësuar dëmtime.
Pas sulmit, qarkullimi në urë u pezullua. Ministria ruse e Transportit njoftoi se ekspertët po vlerësonin dëmet dhe konfirmoi se nuk kishte viktima. Më vonë, agjencia shtetërore TASS raportoi se qarkullimi hekurudhor ishte rikthyer.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u përpoq të minimizonte pasojat, duke deklaruar se ura do të rindërtohet dhe do të jetë edhe më e mirë se më parë. (A2 Televizion)