PD kërkon rikthimin e koalicioneve parazgjedhore e lista të hapura, Gjiknuri e quan listë dëshirash

Nga A2 CNN
17 Nëntor 2026, 13:25 | Politikë

PD kërkon rikthimin e koalicioneve parazgjedhore e lista të hapura,

Bashkëkryetari demokrat i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi, ka ripërsëritur kërkesat e Partisë Demokratike për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Ai kërkoi rikthimin e koalicioneve parazgjedhore, respektimin e marrëveshjes politike të vitit 2020 dhe vendosjen e listave 100% të hapura edhe për këshilltarët bashkiakë.

Teksa ka kërkuar ndarjen e shtetit nga partia, Bylykbashi tha se prania besnike është shembulli më i qartë, që shërbimet që duhet të marrin zgjidhje ne sportele, zgjidhen në parti.

“Ne kërkojmë kthimin e koalicioneve parazgjedhore, të respektohet marrëveshje e 2020. Është një sistem që garanton rrotacion. Sistem proporcional kombëtar me lista 100% me prag që duhet të biem dakord. Lista 100% të hapura për këshilltarët bashkiakë. Prania besnike është shembulli më i saktë i partisë shtet. Rropatesh nëpër sportele dhe nuk e merr shërbimin. Shkon në fundjavë të partia dhe të gjejnë zgjidhje. Sistem patronazhimi. Ne duhet të bëjmë ndryshimet për zgjedhjet e 9 majit. Ligji për financimin e partive politike vlen pas 9 majit”, tha ai.

Nga ana tjetër Gjiknuri e cilësoi paketën e PD-së një listë dëshirash.

"Kjo është një listë dëshirash të opozitës. Ju keni konceptin absolut që shteti duhet të ngrijë që administrata publike është e gjitha politike. Ku ka ndonjë vend që një i punësuar në administratë ti privosh të drejtën politike. Jam dakord që kufizimi të jetë më i fortë për mospolitizimin e funksionit të një zyrtari. Kjo mund të zgjidhet me një vendim të Këshillit të Ministrave. Të thashë liqenin për të zënë peshqit. Nuk është një qasje demokratike”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos