
Ka nisur mbledhja e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, ku palët kanë shprehur qëndrime të ndryshme për propozimet. Kryetari socialist, Damian Gjiknuri, i cilësoi propozimet e Partisë Demokratike një “paper” dhe manifest, të cilat sipas tij se ato duhet të shqyrtohen në përputhje me rekomandimet e ODIHR-it. Ndërsa për financimin e partive politike, ai propozoi që çështja të dërgohet për opinion në Komisionin e Venecias.
“Propozimi i PD si një paper, manifest, si një republikë e re, por t’i shohim si janë me frymën e rekomandimeve të ODIHR. Ligji për fianncimin e partive politike është pjesë e piketave të ndërmjetme e vendosur nga BE. Të marrim një vendim për ta çuar në Venecia të paktën”, tha Gjiknuri.
Nga ana tjetër, bashkëkryetari demokrat, Oerd Bylykbashi, tha se mbledhja e kaluar ishte provokim nga mazhoranca, ndërsa kërkoi ndarjen e shtetit nga partia. Sipas tij reforma duhet të përfshijë një kornizë të plotë për ndalimin e përdorimit të shtetit në zgjedhje, me sanksione të qarta administrative, financiare dhe penale.
“Ajo çfarë ndodhi mbledhjen e shkuar nuk ishte një incident, por një provokim nga mazhoranca. Ndarja e shtetit nga partia bashkëkryetarit socialist i duket një gjë e vogël. Shteti është bërë njësh me partinë dhe duhet ndarë. Është një nga çështjet kryesore që BE kërkon një reformë konsensuale para zgjedhjeve vendore. Pa një kornizë të plotë ku përcaktohet se çfarë shteti nuk duhet të bëjë, qeveria, sanksionet e qarta administrative dhe financiare, si dhe sanksione penale. Kush vjedh mandat nuk e merr ai mandatin dhe as partia e tij. Quajeni manifest apo çfarë të doni por duhet të jetë e plotë. Dëgjova se PS kërkon ta zgjidhë me VKM, por është njëlloj si t’i kërkosh kleptomanit që të mos vjedhësh zgjedhje”.
Bylykbashi ripërsëriti qëndrimet e tij duke kërkuar rikthimin e koalicioneve parazgjedhore, lista 100% të hapura dhe respektimin e marrëveshjes së vitit 2020, pasi garanton rrotacion.
“Ne kërkojmë kthimin e koalicioneve parazgjedhore, të respektohet marrëveshja e 2020. Është një sistem që garanton rrotacion. Sistem proporcional kombëtar me lista 100% me prag që duhet të biem dakord. Lista 100% të hapura për këshilltarët bashkiakë”.
(A2 Televizion)