Dueli me iberikët, Bushi: Do të luftojmë me zemër për ta mundur Spanjën

Nga Dea Kozma
17 Nëntor 2026, 13:16 | Futboll

Para ndeshjes me Spanjën foli trajneri i Shpresave. Pavarësisht se përballë kanë Spanjën, ai theksoi se do të luftojmë me shumë shpirt dhe zemër për të mos u dorëzuar dhe për ta mundur gjigantin.

Bushi ishte i bindur se siç ka Spanja repartin ofensiv shumë cilësor, kuqezinjtë kanë shumë cilësi në repartin defensiv dhe për këtë garanton një ndeshje të bukur dhe me emocione, shkruan A2.

“Me Luksemburgun morëm një fitore të merituar. Ekipi tregoi karakter, disiplinë, kompaktësi. Pavarësisht se pësuam gol të parët, nuk i dhamë asnjë mundësi kundërshtarit të na rrezikonte për rast ose gol tjetër. E kthyem rezultatin nga 0-1 në 3-1. Spanja është një kundërshtar me potencial shumë të lartë teknik. Atyre u pëlqen që ta mbajnë topin, ta zotërojnë atë, të bëjnë shumë vertikalizime. Kemi punuar dhe do të mundohemi që të mos i japim hapësira që ata të gjejnë vetveten në ato hapësira që kërkojnë. Është një ekip me lojtarë shumë cilësorë, me nivel të lartë. Ekipi ynë është një ekip që ka shumë karakter dhe disiplinë. Jemi shumë kompaktë në repartin e mbrojtjes. Ashtu siç ka Spanja repartin ofensiv shumë cilësor, kemi dhe ne repartin defensiv shumë cilësor. Do të mundohemi ta godasim Spanjën aty ku ajo ka defektin më të madh, hapësirat që lë kur është në sulm, për tranzicionin pozitiv që do të bëjmë ne. Kemi punuar shumë që ta kapim aty dhe besoj që do ta kapim. Ekipi është shumë mirë fizikisht, nuk kemi asnjë lojtar të dëmtuar. Na janë shtuar edhe dy lojtarë nga ekipi A, siç është Sina. Presim edhe Fetain, që do të marrë pjesë në stërvitjen e fundit dhe mendoj që nesër do të luftojmë me shumë shpirt dhe zemër për të mos u dorëzuar dhe për ta mundur Spanjën”, tha Bushi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos