Sa kushton kurimi i koronavirusit? Debate në A2 Business Week

Nga A2 CNN
11 Nëntor 2020, 21:51 | Ekonomi
Sa kushton kurimi i koronavirusit? Debate në A2 Business Week

Një debat i ashpër është shënuar në emisionin A2 Business Week mes ish-ministrit të Shëndetësisë, Gjergji Koja, dhe kreu të Departamentit të Shëndetësisë në PD, Gazmend Koduzi, në lidhje me faturën financiare që i kushton një të sëmuri me Covid-19 nëse merr trajtim mjekësor në kushte shtëpie.

Në lidhje me këtë temë, Koja u shpreh se kostot për rastet e lehta dhe ato të moderuara me Covid nuk është shumë e lartë, por që disa mjekë japin në mënyrë abuzive trajtim me antibiotik dhe kortizon edhe nëse pacientët nuk kanë shenja të rënda duke bërë që fatura e tyre të jetë më e lartë.

“Në shtëpi trajtohen zakonisht rastet e lehta. Nuk mund të trajtohen rastet e rënda në shtëpi. Kam dëgjuar dhe unë çmendurira që nisin antibiotikun intravenoz dhe kortizon që në ditën e dytë. Fatura për mjekimin në shtëpi shkon nga 10-13 mijë lekë, të cilat gjysma janë të rimbursuara nga lista e barnave të rimbursueshme. Sepse në shtëpi kurohen format e lehta deri në format e moderuara. Nëse fillojmë me aplikimin e injeksioneve, me terapinë e kortizonikëve.

Nëse nuk ke shenja përse duhet të përdorësh antibiotik në shtëpi? Ka indikacione të qarta që i jep vetëm mjeku se kur duhet të përdoret antibiotiku. Skaneri nuk përdoret sikur po shkojmë në kinema. Skaneri përdoret kur ka shenja dhe asnjëherë përpara ditës së 7 apo të 8. Edhe skanerin e përballon shërbimi publik. Nuk ka sens që të bëhet skaneri në ditën e dytë. Kjo është arsyeja që kostoja fryhet në këtë mënyrë”, u përgjigj Gjergj Koja.

Për përfaqësuesin e Partisë Demokratike, Gazmend Koduzi deklaratat se shumë nga medikamentet mbulohen nga skema e ilaçeve të rimbursueshme është një demagogji. Sipas tij, dy nga tre antibiotikët që rekomandohen nuk janë në listën e rimbursimit.

Koduzi tregon disa dëshmi të personave të infektuar të cilët, sipas tij, konfirmojnë se kura anti-Covid iu ka kushtuar disa herë më shumë nga ajo që thotë Koja.

“Nisur nga eksperiencat e shumë pacientëve që kanë kaluar koronavirusin, trajtimi i komplikacioneve nga Covid ha minimalisht 500-600 mijë lekë të vjetra. Përralla e barnave me rimbursim është një demagogji. Në listën e barnave me rimbursim është vetëm azitromiciona. Salispirina ka kufizim, nuk jepet.

Po të shikosh rekomandimet në protokollin që kanë çuar, së fundmi, mjekut të familjes, nga 3 antibiotikë që rekomandohen 2 prej tyre nuk janë në listë rimbursimi. Kemi pasur histori personale që kishin paguar kosto nga më të ndryshmet. Rastet e mesme shkojnë minimumi 500-600 mijë lekë”, tha Koduzi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos