Saimir Tahiri pajton një kompani lobimi në SHBA

Nga A2 CNN
3 Shkurt 2020, 15:11 | Politikë

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka pajtuar një kompani amerikane për të lobuar për të në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Tahiri ka pajtuar kompaninë “Stone Strategic Solutions” (SSI) për të forcuar njohjen e politikanëve amerikanë dhe pjesëtarëve të komunitetit të shërbimeve inteligjente mbi vendimin e një gjykate në Itali që e shfajësonte nga çdo akuzë lidhur me pjesëmarrjen e tij në një grup të organizuar kriminal, anëtarë të të cilit janë dënuar për trafik ndërkombëtar droge.

Objekt i punës së kompanisë lobuese do të jetë edhe sqarimi i politikanëve amerikanë dhe zyrtarëve të inteligjencës për të gjithë ato që, SSI i quan pretendime të rreme dhe fushata keqinformimi të bëra në media kundrejt Tahirit.

Në kontratën e shkruar mes palëve, të cilën A2 e zotëron, thuhet se marrëveshja ka nisur më 14 janar të këtij viti dhe do të zgjasë fillimisht për një periudhë 3-mujore, ndërsa lihet e hapur mundësia për ta shtyrë në baza 3-mujore.

Për të realizuar qëllimet e saj, “Stone Strategic Solutions” merr përsipër që të organizojë takime me anëtarë të komunitetit politik dhe shërbimeve amerikane të inteligjencës, përfshi edhe anëtarë të Departamentit të shtetit dhe diplomatë të ndryshëm.

Për 3 muajt gjatë të cilëve SSI do të lobojë për zotin Tahiri në SHBA, do të paguhet 20 mijë euro, mësohet nga dokumenti që A2 zotëron, me gjysmën e shumës që është paguar para nisjes së aktivitetit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos