
Një garë e fortë në këtë 14 maj po bëhet edhe në qytetin e Durrësit, e kur kanë mbetur edhe 9 ditë nga zgjedhjet vendore, konkurrenca po bëhet gjithnjë e më e fortë me akuza dhe kundërakuza për kundërshtarin. Akuza e radhës është artikuluar së fundmi nga kandidatja për një mandat tjetër nga radhët e socialistëve në Bashkinë e Durrësit, Emiriana Sako. Ajo thotë se Igli Cara që vjen si kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” nuk është gjë tjetër në këtë garë vetëm se masha e Sali Berishës dhe Ilir Metës.
Me anë të statusit të publikuar në rrjetet sociale, Sako thotë se Cara është futur në garë me qëllim që të marrë Bashkinë e Durrësit peng dhe jo të bëjë punë për durrsakët. Siç vetë e thekson, ajo ka zgjedhur që të mos “merret shumë” me kundërshtarin e saj në këtë fushatë, por shton se ky reagim ka ardhur pikërisht se vetë Cara ka derdhur “një lumë” akuzash në drejtim të saj.
“Unë nuk jam politikane dhe nuk e kam kuptuar asnjëherë politikën si përballje personash. Për mua politika është ballafaqim vizionesh, programesh, rezultatesh. Por, duke qenë se Igli Cara merret më shumë me mua, sesa me mamën e tij siç e thotë edhe vetë, dua t’ju them dy fjalë!
Igli Carën unë nuk e njoh, emrin e tij e kam dëgjuar dikur si njeri që shiste vende pune kur PD-ja ishte në pushtet. Por për këtë nuk kam asnjë provë. Ndërsa prova se Igli Cara është vetë një politikan i vjetër, i cili i shitet padronit të radhës, nuk meriton të merret seriozisht, është para syve të gjithë durrsakëve. Deri dje, ai ishte marioneta e Lul Bashës, sot ai është marioneta e Sali Nongratës dhe Ilir Floririt, të cilët s’kanë asnjë lidhje me të ardhmen e Durrësit. Ata e kanë hedhur Igli Carën në fushë për t’u hedhur hi syve të durrsakëve dhe për ta marrë Durrësin peng. Për të marrë peng Portin e ri Turistik, Portin e ri tregtar në Porto Romano, hekurudhën e re Durrës-Tiranë dhe vetë të ardhmen e Durrësit që sot me mbështetjen e Kryeministrit dhe deputetit tonë Edi Rama, ka hyrë në një kapitull historik transformimi ekonomik, urban dhe social.
Igli Cara ka gabuar rëndë që u ka dhënë dy individëve më problematikë në Shqipëri, fytyrën dhe emrin e tij, por Durrësi nuk ka më asnjë shans për t’i dhënë padronëve të Igli Carës! Prandaj i dashur Igli, në 14 maj ti do të kthehesh tek mama në pritje për padronin e rradhës, ndërsa unë do vazhdoj punën me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste.
Bashkia e Durrësit është e durrsakëve që duan të shkojnë vetë përpara dhe kurrë s’do të jetë më e nongratave dhe e kukullave si puna jote, që me Durrësin i lidhin vetëm hallet dhe interesat personale”.
Emiriana Sako, kandidate e PS në Durrës
Ky reagim i saj vjen pasi Cara gjatë fushatës së tij ka artikuluar se Emiriana Sako është një vegël e Vangjush Dakos, i cili ndonëse ka dhënë dorëheqjen, sipas tij, nuk ka ikur kurrë nga drejtimi i qytetit.
“Kryetari real i bashkisë është Dako. Të gjithë e dinë që është kryetari real edhe në këto 4 vite të kaluara”.
Igli Cara, kandidat i Koalicionit "Bashkë Fitojmë" në Durrës
Në këtë Bashki, gara është vetëm mes 2 kandidatëve, Sako dhe Cara, pasi Partia Demokratike zyrtare nuk nxori një kandidat të sajin. (A2 Televizion)