Ishte e papritur dhe e palajmëruar vizita e ministrit të jashtëm iranian në samitin e g7-tës në Biarritz të Francës.
Me ftesë të presidentit francez Emanuel Macron, Muhamad Xhavad Zarif mori pjesë në bisedime dytësore të zhvilluara gjatë samitit të liderëve të vendeve më të industrializuara të botës. Në një postim në rrjetin social Twitter, Zarif tha se kishte zhvilluar bisedime konstruktive me kryeministrin dhe presidentin francez.

“Rruga përpara është e vështire, por ja vlen të përpiqesh”, deklaroi ministri iranian. Ka raportime se delegacioni amerikan u befasua nga vizita surprizë, e cila vjen në një kohë tensionesh të larta me Iranin.
Ndërsa zyrtarët francezë u thanë gazetarëve se ministri i jashtëm ishte ftuar mbi bazë të dakordësimit me delegacionin amerikan, Shtëpia e Bardhë sugjeroi se nuk kishte qenë në dijeni. Marrëdhëniet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara janë përkeqësuar ndjeshëm që kur Uashingtoni u tërhoq nga marrëveshja për kufizimin e aktiviteteve bërthamore të Iranit, e nënshkruar në vitin 2015-të.
Pesë vendet e tjera, përfshire Francën, mbeten të përkushtuara ndaj ujdisë por Teherani ka ndërmarrë disa veprime provokuese bërthamore, në kundërpërgjigje të sanksioneve ekonomike amerikane. Macron ka marrë një rol aktiv në lehtësimin e tensioneve dhe shpëtimin e marrëveshjes.
Ky rol, së bashku me iniciativat e tjera për taksën ndaj koncerneve digjitale, klimën dhe të tjera, sipas analisteve po e pozicionojnë atë si liderin e ri të Evropës. (A2 Televizion)