Samiti i NATO-s në Bukuresht, Tajani: Më shumë prani në Ballkan, të kufizojmë ndikimin rus

Nga A2 CNN
30 Nëntor 2022, 11:05 | Ballkani
Samiti i NATO-s në Bukuresht, Tajani: Më shumë prani në

Europa duhet të rrisë prezencën e saj në Ballkanin Perëndimor për të kufizuar ndikimin e Rusisë dhe duhet ta mbështesë më shumë rajonin. Janë fjalët e ministrit të Jashtëm italian, Antonio Tajani, gjatë samitit të NATO-s në Bukuresht të Rumanisë.

“Duhet të mbrojmë të gjitha vendet më Ballkanin Perëndimor dhe ato pranë Ukrainës, pasi është e rëndësishme në këtë moment të punojmë të gjithë bashkë. Është një mesazh për Rusinë. Duhet të jemi më prezent në rajonin e Ballkanit perëndimor. Javën e kaluar isha në Serbi dhe Kosovë për të mundësuar një zgjidhje të mirë mes këtyre dy vendeve. Qëndrueshmëria në rajon është e rëndësishme për paqen dhe për të ndalur emigracionin e paligjshëm”, tha Antonio Tajani, ministër i Jashtëm i Italisë.

Ministrat e Jashtëm të NATO-s takohen të mërkurën - për të dytën ditë radhazi për të rikonfirmuar mbështetjen për shtetet e brishta në kufi me Rusinë, pas shqetësimeve për destabilizimin e tyre, prej nisjes së luftës së Moskës në Ukrainë, në fund të muajit shkurt. Më herët, shefi i aleancës Jens Stoltenberg i dha garanci të reja Kievit që po lufton prej 10 muaj agresionin rus, dhe në një sfidë të drejtëpërdrejtë ndaj presidentit Vladimir Putin, tha se Ukraina do të anëtarësohej një ditë në NATO. Ai u zotua se do të ndihmojnë Ukrainën të rindërtojë infrastrukturën pas sulmeve brutale të Rusisë.

“Rusia po përdor sulmet brutale me dronë dhe raketa për të lënë Ukrainën në errësirë dhe të ftohtë këtë dimër. Putin po përdor dimrin si armë lufte për të detyruar largimin e tyre”, tha Jens Stoltenberg.

Ukraina, nga ana e saj, bëri thirrje për më shumë furnizime të shpejta me armë për t'u mbrojtur. Ministri i Jashtëm, Dmitro Kuleba, tha se nevojiteshin me urgjencë sisteme Patriotë dhe transformatorë. Në samit, disa shtete u zotuan për mbështetje ushtarake për Ukrainën, të tjerë për ndihmë financiare dhe pajisje.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos