
Bota duhet të kapërcejë krizën ekzistenciale të kohës sonë. Me këto fjalë, presidenti amerikan Joe Biden njoftoi synimin e ri për të përgjysmuar emetimet e gazrave kabronikë deri në 2030, gjatë samitit të klimës të organizuar prej tij, e ku morën pjesë dhjetëra udhëheqës botërorë.
“Shtetet e Bashkuara synojnë reduktimin me 50% të emetimeve te gazrave me efekt serrë deri në fund të dekadës. Ky do të jetë orientimi ynë si komb, dhe ajo që mund të bëjmë për të pasur një ekonomi, jo vetëm më të begatë por edhe më të shëndetëshme e më të pastër për të gjithë planetin. Qëllimi është të kemi zero emetime karbonikë deri në 2050-tën.”, deklaron Biden.
Kryeministri britanik Boris Johnson vlerësoi angazhimin e Presidentit Biden si "një faktor përcaktues," duke thënë se "do të ketë një ndikim transformues në luftën globale kundër ndryshimit tëklimës".
“Jam entuziast më këtë njoftim tejet të rëndësishëm që bëri Joe Biden dhe jam shumë krenar të them se edhe Britania e Madhe po bën të njëjtën gjë.”, deklaroi Johnson.
Një fakt zhgënjyes për organizatorët dhe ambientalistët në takim ishte mungesa e angazhimeve gjatë punimeve të së enjtes nga dy vendet më të populluara në botë, Kina dhe India. Presidenti kinez XiJinping tha se vendi i tij do të kontrollojë në mënyrë rigoroze përdorimin e qymyrgurit në vitet e ardhshme dhe do të eliminojë gradualisht burimet energjetike karbonike gjatë periudhës 2026-2030.
Sekretari i përgjithshëm Antonio Guterres tha se bota ishte në buze të greminës dhe nevojiteshin përpjekje globale për të frenuar ndryshimet klimatike. (A2 Televizion)