
“Pozicioni i ministrit të Brendshëm i ka shtuar vlera CV-së time, kjo për faktin se gjatë mandatit tim është arritur që të menaxhohen sfidat kryesore me të cilat është përballur vendi në fushën e sigurisë. Fatmirësisht, sot konstatoj se ende nuk e dëgjoj fjalën siguri në artikulimet e programit të ri të opozitës. Kjo tregon se siguria nuk përbën shqetësim më as për ata. Unë dorëzova detyrën me një studim serioz, i cili konfirmonte se të gjithë parametrat e sigurisë janë në nivele të larta. Kjo konfirmohet dhe është fakt. Siguria arriti të ngrohet në nivelin më të lartë historik. Policia krijoi kapacitete që i kishin munguar historikisht. Kjo është një pjesë e vogël e tablosë që më bën të besoj se ishte një periudhë e vështirë, por e mbyllur pozitivisht. Për të mos thënë këtu edhe përballimin shembullor ndaj institucioneve të vendit”, kështu u shpreh ish-ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj në A2.
“Këto besoj se nuk i japin asnjë valencë negative rrugëtimit tim politik. Qytetarët kanë një vlerësim pozitiv për performancën e ministrisë gjatë periudhës që unë e kam drejtuar”, shtoi ish-ministri.
Por, a do të jetë Lleshaj pjesë e garës me PS-në në zgjedhjet e 25 prillit? “Këtë nuk mund ta them unë, por PS-ja. Garën e organizon PS-ja. Unë kam qenë vetëm njëri nga aktorët e përfshirë në ekipin drejtues, vazhdoj të jem pjesë në ekipin politik. Nuk mund të them cili do të jetë konkluzioni i formulave. Shoh me kënaqësi të madhe faktin që PS po vjen në zgjedhje me portrete të reja. Këtë gjë unë e konsideroj shumë pozitive”, tha ish-ministri. (A2 Televizion)