
Presidenti iranian iu përgjigj me tone sfiduese sanksioneve të fundit të Shteteve të Bashkuara, duke thënë se ai gënjen kur pohon se do dialog. Hasan Rouhani i cilësoi si të pavlefshme masat kundër liderit suprem Ajatollah Ali Khamenei dhe denoncoi planet e SHBA për të shënjestruar ministrin e jashtëm iranian.
“Ju nuk thatë se deshët të negocionit. Nëse thatë të vërtetën dhe deshët vërtetë negociata, nuk keni përse të njoftoni sanksione ndaj ministrit tonë të jashtëm. Kjo tregon se jeni të mbushur më gënjeshtra” deklaroi presidenti iranian Rouhani. Një vendim i tillë, shton Rouhani tregon se sa e “vonuar” mendërisht ishte Shtëpia e Bardhë.
Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi të hënën sanksionet e reja kundër shtetit islamik, të cilat nuk kursejnë as liderin suprem, ajatollahu Ali Khamenei.
Atij dhe bashkëpunëtorëve do tu mohohet qasja ndaj resurseve të rëndësishme financiare. Ndërsa analistët thonë se sanksionet janë përgjithësisht simbolike, sekretari amerikan i thesarit pretendon të kundërtën.
Bashkë më sanksionet ekzistuese, masat e reja do të bllokojnë asete prej miliarda dollarësh. Gjithashtu ne do të njoftojmë edhe aksione specifike që do të shënjestrojë përgjegjësit e aktiviteteve të fundit. Sanksionet janë të gjitha shumë të rëndësishme. Presidenti më ka udhëzuar gjithashtu që të godasim ministrin e jashtëm Zarif”, deklaroi Sekretari amerikan e thesarit, Steve Mnuchin.
Ministri i jashtëm iranian Javad Zarif tha se amerikanet e përçmonin diplomacinë dhe akuzoi administratën Trump se ka etje për luftë. Kreu i Shtëpisë së Bardhë i cilësoi sanksionet si një reagim ndaj sjelljes agresive të Iranit. (A2 Televizion)