
Situata e sigurisë në veri të vendit ka qenë e brishtë, por kryesisht e qetë, përjashtuar në komunën e Leposaviqit ku kohë pas kohe është tensionuar, pasi protestuesit/grupet kriminale, kanë penguar dhe sulmuar me gjësende të ndryshme, të forta gazetarë të mediave të ndryshme, përfshirë edhe ekipin e A2 CNN.
Në vlerësimin e fundit të Policisë së Kosovës, raportuar nga Kosova Press konfirmohet se disa makina të mediave, të cilat kanë qenë të parkuara në lokacione të ndryshme, janë sulmuar dhe dëmtuar nga mjetet e forta të hedhura brenda dhe jashtë automjeteve.
Policia ka premtuar se do të hetojë të gjitha sulmet ndaj mediave.
“Pengimi i gazetarëve në kryerje të detyrës, cenimi i shprehjes së lirë, pengimi i pasqyrimit të situatës reale, si dhe dëmtimi i automjeteve janë veprime kriminale, të cilat do të hetohen nga Policia e Kosovës”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.
Më herët disa të rinj të maskuar sulmuan me sende të forta dhe me gurë makinën e A2 CNN dhe media të tjera, pro fatmirësisht pa të lënduar.
Në orët e pasdites, policia tha se protestat pranë objekteve të tri komunave në veri të vendit Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan kanë përfunduar, përjashtuar një numër i vogël i protestuesve po vazhdojnë të qëndrojnë pranë komunës së Leposaviqit.
“Monitorimi i situatës dhe angazhimet policore të koordinuara me institucionet relevante të sigurisë kanë vazhduar në të gjitha lokacionet”, përfundoi komunikata e policisë. (A2 Televizion)