“Serbia është kërcënim për ne”, Kurti i kërkon Gjermanisë më shumë trupa në Kosovë

Nga A2 CNN
26 Gusht 2022, 13:50 | Kosova
“Serbia është kërcënim për ne”, Kurti i

Kosova i kërkon Gjermanisë që të dërgojë më shumë trupa në misionin paqeruajtës të NATO-s, KFOR. Kryeministri Albin Kurti, në një intervistë për median “Welt”, e konsideroi këtë të domosdoshme për garantimin e sigurisë në rajon, pasi Serbinë e konsideroi një kërcënim për Kosovën.

“Për shkak të kërcënimit nga Serbia dhe Rusia, ekziston nevoja urgjente për të rritur ndjeshëm numrin e ushtarëve të NATO-s në Kosovë”, tha shefi i qeverisë së Prishtinës për median gjermane.

Kurti shtoi se “Beogradi po ndërton struktura ilegale, veçanërisht në veri të Kosovës, dhe vazhdon të mbajë lidhje shumë të ngushta me Moskën”.

Kryeministri nënvizoi për Welt se do të zbatojë reciprocitetin në kalimet kufitare me Serbinë më 1 shtator dhe shprehu gatishmërinë të shtrëngojë duart me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, për heqjen e të gjitha kontrolleve kufitare nëse diçka e tillë do të pranohej nga Beogradi.

Kurti gjithashtu konfirmoi se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Europian këtë vjeshtë ose në dimër, përpara Krishtlindjeve.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos