Sesioni i ri parlamentar Balla: Situata në PD të mos bllokojë punën e Kuvendit

Nga A2 CNN
12 Janar 2022, 16:06 | Politikë
Sesioni i ri parlamentar Balla: Situata në PD të mos bllokojë

Socialistët kërkojnë që situata politike e Partisë Demokratike, të mos ndikojë në punën e kuvendit. Në një dalje për mediat kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla shprehu dëshirën që gjatë këtij sesioni të përmbyllen disa nga reformat, si dhe ndryshimet kushtetuese për zgjatjen e vetingut në drejtësi.

“Dëshira ime është që puna të vijojë normalisht e ne të përmbushim detyrimet  që Kuvendi ka. Përmbyllja e procesit të Vettingut, është diçka që nuk ka të bëjë me agjendën politike, por ka të bëjë me agjendën e rëndësishme të rrugës Evropiane të Shqipërisë. Presim që këtë vit të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare”.

Në pritje të vendimit për shkarkimin e presidentit, Balla u shpreh se socialistët nuk do ta kundërshtojnë qëndrimin e Kushtetueses, ndërsa kujtoi se Gjykata e ka gjithë jurisprudencën e nevojshme për të ndërmarrë vendimin, pa qenë nevoja t’i drejtohet përsëri Komisionit të Venecias.

“Opinionet e vyera të Venecias kanë qenë ndihmuese, por biem dakord që opinioni i Venecias ka ardhur, ekziston, Gjykata Kushtetuese e ka jurisprudencën e nevojshme, do ishte humbje kohe, nëse kërkohet prapë opinion, ndërkohë që ajo që ka më shumë rëndësi është vendimmarrja e Kushtetueses. Ajo ka agjendë prioritare, koha ka qenë në dispozicion, ka qenë e qartë që prej ditë së parë”.

Pavarësisht vendimit të Kushtetueses, procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri nisin në muajin prill, ndërsa socialistët duket se janë tërhequr nga oferta e tyre për opozitën, për të gjetur një emër konsensual.

“Kushtetuta ka parashikuar që në tre raundet e para presidenti zgjidhet me shumicë, ndërsa më pas në fazat e fundit me 3/5 e kuvendit ose  me shumicë të thjeshtë, gjysma +1”.

Më herët socialistët ishin shprehur të gatshëm për të dëgjuar dhe propozimet e demokratëve për zgjedhjen e presidentit, por Edi Rama e bëri të qartë në fund të dhjetorit kur njoftoi tërheqjen e ofertës, për sa kohë situate në PD e bënte të paqartë me cilën palë duhej biseduar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos