Sfida financiare pas zgjedhjeve, përplasje mendimesh mes Shoqatës për Autonomi Vendore dhe Shoqatës së Bashkive

Nga A2 CNN
17 Maj 2023, 21:50 | Ekonomi
Sfida financiare pas zgjedhjeve, përplasje mendimesh mes Shoqatës

Sfidat financiare me të cilat përballen bashkitë pas zgjedhjeve të 14 majit u diskutuan në studion e A2 Business. Për drejtoren e Shoqatës për Autonomi Vendore, Adelina Farrici shqiptarët votuan vazhdimësinë, pasi nuk kishin asnjë alternativë nga opozita.

“Nuk është që qarqet që kanë varfëri votuan për vazhdimësi, nuk shoh lidhje të ngushtë. Mendoj që qytetarët nuk patën alternativë. Ekipi humbës nuk mundi të ofrojë atë që shqiptarët kërkonin, një alternativë të besueshme ku të gjenin zgjidhjen e problemeve të tyre dhe e shohin te vazhdimësia. Normal që do të votojnë për të. Sa i përket ndihmës ekonomike ka disa kritere që duhen plotësuar. Në Tiranë papunësia është shumë e vogël. Ndihma ekonomike lidhet me papunësinë, në Tiranë ka alternativa punësimi”.

Por kundër kësaj shprehet drejtuesi i Shoqatës së Bashkive Agron Haxhimali, i cili thotë se në votime ka ndikuar varfëria. Sipas tij qytetarëve nuk iu tregua programi por u përballën me zgjedhje politike.

“Për mua zgjedhjet në Shqipëri historikisht janë ideologjike. Pikë së pari, janë zgjedhje politike dhe të tilla u trajtuan dhe këtë herë. Edhe pse janë zgjedhje administrative ku kryeministri e kryetari i opozitës duhet të rrinin në karriget e tyre ata u bënë lokomotiva e zhurmës e kaosit dhe lanë në hije 61 kandidatët që sot janë kryetarë dhe rivalët e tyre dhe qytetarëve nuk iu shërbye për të parë se cili ishte programi i tyre. Ka ndikuar varfëria, ku e tregon edhe një raport i BB, i vitit 2018, që thotë se përveç qarkut të Tiranës që ka shkallën neto 8.1%,  11 qarqet e tjera kanë rrudhje katastrofike e zhvillim ekonomik jashtëzakonisht të dobët. Shërbimet kanë mbetur jashtë standardeve. Kur kishim më pak shërbenim për 2.8 mln banorë, kur kemi më shumë shërbehet për 1 mln banorë. Kishim një opozitë që nuk ofroi asgjë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos