
Askush nuk e di vërtetë sa do të zgjasin këndet e lojërave të jenë bosh, apo vendet turistike që nuk gëlojnë nga jeta kulturore, artistike dhe e zhurmshme e qyteteve të hënave kur nis shkolla. Tirana e zhurmshme tani gumëzhin në internet, në fijet e teknologjisë që tanimë kanë nisur të përçojnë edhe dijen.
Shkollat aktualisht janë mbyllur. Deri kur, nuk dihet. Këtë e aprovon edhe ministrja e Arsimit, Besa Shahini. Në këto kushte të pandemisë botërore, edhe Shqipëria i nënshtrohet mësimit “online”. Por, nëse në vende të ndryshme të botës kjo është një përvojë tanimë e njohur, për shqiptarët sfidat janë të mëdha. A2 kërkoi mendimin e atyre që fijet e teknologjisë sot i përdorin jo vetëm për t’u lidhur me njerëzit e zemrës, por edhe me librin. Nxënësit tregojnë se në fillim kjo dukej një joshje për ta, por sot pas më shumë se 20 ditësh, është një pushtim i jashtëzakonshëm i ditës.
Prindërit nuk munden t’i ndihmojnë fëmijët të mësojnë gjuhën e huaj apo fizikën, testet “online” nuk shkojnë në kohë, ndërsa mësuesit që shpesh janë edhe prindër vetë, u duhet të menaxhojnë nxënien e rreth 40 fëmijëve njëherësh: “E vështirë shumë. Sidomos kur thotë zysha provim në frengjisht. Unë e shkreta jam dhe injorante, vetëm italisht, anglisht dhe gjermanisht di. Unë që kam djalin në klasë të parë po ndjej vështirësi se si t’ia shpegoj konceptet e gjeometrisë, edhe pse ai ka inteligjencë matematikore, i plotëson fletat e detyrave, i bëjmë me gjëra rrethanore në shtëpi, por prapë shoh që nuk di t’ia shpjegoj. Stresi i përditshëm që t’u japësh çdo dite fëmijëve 6-7 fleta pune, detyra të reja. Ndjej që ai kërkon klasën si ambient, si shoqëri, me fëmijët e tjerë, mbi të gjitha mësuesen. Djali është mërzitur nga ndenja mbyllur, shpesh më thotë “më ço tek lodrat”. Detyrat i bën mekanikisht. Nuk ka më dëshirën e mëparshme.
Po për ne mësuesit, që jemi dhe prindër, keni menduar ndonjëherë? Që dhe ne kemi fëmijë qe ju detyrohemi dhe atyre për t’i qëndruar pranë e për t’i dhënë pak stimul e motivim? Keni menduar ndonjëherë që dhe ne jemi nëna dhe përveç mësimit kemi dhe mësimin e fëmijës, kemi dhe detyrime familjare? Kjo situatë e krijuar nuk është aspak e favorshme për asnjërin nga ne. Na gjeti të papërgatitur. Dhe ne e dimë që kjo nuk është mënyra më efikase, por ja që në të tilla rrethana jemi”.
Mësimi “online” është konsideruar gjithnjë një eksperiment, ku jo vetëm nxënësit, por edhe mësuesit, ata që do ta prinin këtë përvojë, u gjendën pa përgatitur.
Kjo përvojë është e vështirë për të gjithë ata prindër që kanë dy apo tre fëmijë në shtëpi, për prindërit mësues që kujdesen për detyrat në shtëpinë e tyre, por edhe testet në shtëpitë e të tjerëve, për drejtuesit e këtij procesi ekperimental dhe për thuajse një pjesë të mirë të shoqërisë së zhurmshme të një kryeqyteti tanimë të heshtur. Por, imagjinoni sa e vështirë është për një maturant, që këto kohë, shqetësimit të provimeve që vulosin të ardhmen e tyre profesionale, do të ishn të zënë duke menduar edhe për fustanin e mbrëmjes së maturës, apo kostumin dhe vajzën që do ta shoqëronte në festën e fundit të maturës. Të gjitha këto mendime pandemia i fshiu. Vendin e zunë provimet, rezultatet e të cilave duken të paarritshme me këtë proces mësimor.
Dhjeta që dyshoje se mund ta arrije, tani është kthyer në tetë.
“Jam e bindur që nuk do të kem rezultate siç do të kisha po të kishte vijuar normalisht mësimi”, thotë një maturante.
Jo vetëm rezultati, por edhe vetë e ardhmja po vihet në dyshim. Jona është një maturante që shqetësohet a do të mund të shkojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të studiuar apo jo. Ka disa vite që mëson me këtë synim në kokë dhe thuajse një vit që merret me dokumentacionin e nevojshëm. Dy javë më parë, ky dukej si një rrugëtim i thjeshtë, sot si një rrugë që edhe mund të mbyllet. Teksa dëgjon në televizion këto sugjerime për të anuluar procesin e provimeve të maturës, i druhet mbylljes së rrugëve të dijes. Ka frikë se provimet do të shtyhen, njëlloj siç u shtynë fluturimet, u mbyllën rrugët reale të levizjes. Ndaj, në A2, ajo bën thirrje që kjo të mos ndodhë.
A do të shtyhen provimet? Kur do të kthehemi në shkollë? A do të mund të vijojmë me planet që kishim? Ky është testi me të cilin po përballen shumë familje shqiptare. Por, ngado shkruajmë e kërkojmë mendime, të gjithë njëzëri e dinë rezultatin e këtij izolimi.
Të gjithë po përpiqemi t’ia dalim edhe në këtë provim të jetës. Ndaj, të mësojnë përmes fijeve që përcjellin teknologji, ashtu sikurse dhurojmë puthje dhe buzëqeshje përmes telefonit a kompjuterit. Është sfida jonë tanimë. Na mbetet vetëm të përpiqemi që këtë provim të jetës ta kalojmë me rezultate të shkëlqyera. Sepse ne mund t’ia dalim, të vazhdojmë jetëshkrimin aty ku e lamë dhe ta bëjmë atë edhe më të mirë. (A2 Televizion)