
Situata me koronavirusin ka bërë që edhe ceremonitë fetare të jenë ndryshe nga e zakonshmja.
Besimtarët katolikë kanë nisur të festojnë në kushtet e karantinës atë që quhet si Java e Pashkës. Por, në Katedralen Katolike të Shën Palit në Tiranë, imzot Xhorxh Frendo celebroi meshën ku pak besimtarë ishin prezentë e ku binte në sy ruajtja e distancës së sigurisë mes tyre. Mungesën e besimtarëve e veçoi edhe Imzot Frendo në fjalën e tij.
Edhe në Shkodër, mesha e shenjtë është celebruar në kushte të jashtëzakonshme. Jashtë katedrales ishin vendosur disa altoparlantë në mënyrë që qytetarët të kishin mundësi të dëgjonin lutjet e imzot Angelo Massafra, edhe pa qenë prezentë në ambientet e brendshme.
Kjo e dielë quhet ndryshe e diela e palmave dhe shënon ditën që Jezu Krishti hyri në Jeruzalem. Ceremonitë nisin këtë të diel dhe kulmojnë të shtunën në mesnatë, me ringjalljen e Krishtit. (A2 Televizion)