Sfidat jo në veri, Milani dhe Interi refuzojnë, futbolli italian mund të nisë me Kupën

Nga A2 CNN
17 Prill 2020, 12:49 | Futboll
Sfidat jo në veri, Milani dhe Interi refuzojnë, futbolli italian mund

Futbolli do të jetë sporti i parë që do të rinisë sërish në Itali, ndërsa federata e këtij vendi, pas takimit me Komisionin Mjekësor Shkencor, po studion një formulë për t’i rifilluar me Kupën e Italisë.

Në pritje të dritës jeshile nga qeveria, Këshilli i Ligës së Futbollit e ka parë më të arsyeshme që të nisin me dy takimet e kthimit gjysmëfinal të Kupës, Juventus-Milan dhe Napoli-Inter. Është akoma e vështirë të flitet për datat, por nëse Kupa e Italisë do të luhet në 27 dhe 28 maj, atëherë kampionati i Serie A, me të gjitha gjasat, do të fillojë në 31 maj. Sipas kësaj skeme, realizimi i së cilës është objekt i vendimeve të qeverisë, ideja është që Serie A të përfundojë deri në 2 gusht. Sigurisht, për të minimizuar rrezikun, do të ketë një kontroll të plotë të lojtarëve, nga tamponët, testet, deri te izolimi i individit.

Ndërkohë, të mërkurën Federata Italiane e Futbollit hodhi idenë që Serie A të luhet vetëm në qendër dhe jug të gadishullit Apenin si vende më pak të prekura nga pandemia e Covid-19 dhe ku ka më pak rrezik infektimi. Kjo penalizon skuadrat e veriut, Milan, Inter, Atalanta apo ndoshta edhe Juventusin, të luajnë larg shtëpisë së tyre në stadiume të tjera të mbyllura, pa tifozë.

Gjithsesi, kjo hipotezë, sipas “Gazzetta dello Sport”, ka rënë poshtë nga dy skuadrat e Milanos. Inter dhe Milan kanë bërë të ditur se nuk do të heqin dorë nga ndeshjet në San Siro, duke qenë të vetëdijshëm se duke u spostuar në një tjetër stadium do të ketë vështirësi të mëdha në organizim, por edhe një rritje të konsiderueshme të kostove.

Ndërkohë, numri një i Komitetit Olimpik, Malago nuk i ka kursyer kritikat për menaxhimin e situatës emergjente të futbollit italian. Sipas tij, mungon një plan i qartë, praktik dhe bindës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos