
Prej më tepër se 40 ditësh në karantinë në shtëpinë e tij, edhe sepse jeton në krahinën e Friulit, një prej zonave më të prekura në Itali nga pandemia e koronavirus. Në programin “Dita Jonë” në A2, trajneri i Kombëtares, Edy Reja rrëfeu si po e përjeton situatën dhe vështirësitë e izolimit.
“Situata është ajo që po përjetojnë të gjithë, natyrisht e vështirë. Dal vetëm një apo dy herë në javë për të blerë ushqimet që nevojiten. Fatmirësisht kam shtëpi me kopsht dhe arrij të qëndroj pak më tepër në ajër të pastër. Mendoj për ata persona që jetojnë në apartamente dhe e vuajnë më tepër, por gjithsesi jemi në vështirësi”, tha Reja.
Trajneri foli për ndikimin e virusit të ri në futboll dhe sfidat e të ardhmes së afërt me të cilat përballet sporti. “Pas një apo një muaji e gjysmë nuk do të jetë e thjeshtë të rigjehet gjendja fizike. Për të rifilluar duhet bërë përgatitja e duhur dhe më pas të mendohet për ndeshjet. Futbolli nuk mund të nisë menjëherë pas një javë, sepse kjo do të përbënte një rrezik të madh për lojtarët, të cilët mund të dëmtohen”.
Sapo u emërua në krye të stolit të Shqipërisë, 74-vjeçari fitoi zemrat e tifozëve. Vlerësimi u rrit pas vendimit për të dhuruar gjysmën e rrogës në ndihmë të komunitetit të futbollit në Shqipëri. Një gjest të cilin Reja është i gatshëm ta përsërisë, nëse do të jetë nevoja. “Dhurimi i një pjese të pagës ishte një detyrim, sepse ka persona që jetojnë vetëm me futbollin dhe nuk kanë një punë të dytë. U munduam të bënim diçka të vogël në ndihmë të komunitetit. Nuk e kam bërë vetëm unë, por në bashkëpunim me të gjithë stafin tim dhe e kam për kënaqësi. Nëse do të jetë e nevojshme, do të përpiqemi të japim një tjetër ndihmë”.
Në fund trajneri tregoi bisedat me lojtarët kuqezi dhe përgatitjet për rikthimin e futbollit. “Flas shpesh me djemtë e Kombëtares për të mësuar gjendjen e tyre, edhe pse thuajse të gjithë janë në shtëpi, aty ku vijojnë stërviten. Në Itali thuhet se do të nisin përgatitjet rreth datës 20,21 apo 22, për të synuar që rreth muajit maj të jenë gati për të rinisur kampionatin, edhe pse nuk dihet me saktësi kur do të jetë e mundur”, tha Reja. (A2 Televizion)