Bashkimi Europian miratoi një paketë ekonomike për të rimëkëmbur ekonomitë e unionit, por edhe shteteve kandidate, për shkak të pandemisë. Por për Dritan Shanon, ekspert i ekonomisë, kjo pak do të ndikojë në ringritjen e Shqipërisë.
“Unë nuk shoh se si një përmirësim i ekonomisë europiane do të ndikojë në ekonominë tonë, sa i përket bilancit tonë tregtar, sepse nuk shoh tendencë për të ulur çmimet e mallrave që ne importojmë”, tha ai në A2 Business Week.
“Mbetet për t’u parë mekanizmi i gjetur, se si do të injektohen ato para në ndihmë të bizneseve. Paratë që vijnë si asistencë makro financiare nuk kanë rëndësi nga pikëpamja e ekonomisë reale. Ato janë të rëndësishme për qeverinë sepse i japin frymëmarrje. Performanca e asistencës do të varet nga ajo e qeverisë”.
Për Shqipërinë, BE ka akorduar 280 milionë euro, por për Shanon, kjo nuk është një shifër e rëndësishme. “Shpejtësia me të cilën do të injektohet do ta bënte të rëndësishme. Por procedurat e Bashkimit Europian janë të tilla që, nëse je duke u mbytur, nuk të shpëtojnë. Rimëkëmbjen e bëjnë bizneset, jo qeveritë. Një qeveri që nuk ulet në mënyrë të përulur me biznesin, të dëgjojë nevojat që ka, ku është në raport me konkurruesit e vet në botë”, tha ai. (A2 Televizion)