Pse njerëzit po hanë më shumë sheqer? Shkencëtarët zbulojnë arsyen befasuese

Nga A2 CNN
9 Shtator 2025, 13:03 | Lifestyle

Pse njerëzit po hanë më shumë sheqer? Shkencëtarët

Akulloret, ëmbëlsirat e ngrira dhe pijet super të ftohta bëhen më tërheqëse gjatë vapës së verës. Por me ndryshimet klimatike që po sjellin temperatura gjithnjë e më të larta, njerëzit po konsumojnë më shumë prej tyre, përcjell A2 CNN. Një studim i ri tregon se kjo sjellje ka pasoja shqetësuese për shëndetin.

Pan He, lektore në Universitetin e Kardifit dhe një nga autorët e studimit, thekson se është e qartë që ndryshimet klimatike do të ndikojnë në furnizimin dhe cilësinë e ushqimit, duke shkaktuar mungesa, rritje çmimesh dhe madje ulje të vlerës ushqyese. Por më pak është ditur deri tani se si këto ndryshime ndikojnë mbi zakonet tona të përditshme ushqimore.

Studiuesit analizuan të dhënat e blerjeve ushqimore të familjeve amerikane në periudhën 2004–2019 dhe i krahasuan ato me të dhënat e motit sipas rajoneve. Rezultatet treguan se sa më shumë rriteshin temperaturat, aq më i madh bëhej konsumimi i sheqerit, sidomos në formën e pijeve të ëmbëlsuara si lëngjet dhe pijet e gazuara.

Sipas studimit të publikuar në revistën Nature Climate Change, për çdo rritje me 1 gradë Celsius, konsumi i sheqerit shtohej me rreth 0,7 gram për person në ditë. Efekti ishte më i fortë kur temperaturat arrinin mes 20 dhe 30 gradëve Celsius.

Pse njerëzit po hanë më shumë sheqer? Shkencëtarët

Kërkesa për hidratim dhe freskim bën që shumë njerëz në SHBA t’i drejtohen produkteve të ëmbla e të ftohta. Fenomeni është edhe më i theksuar te familjet me të ardhura apo arsim më të ulët, të cilat jo vetëm kanë konsum më të lartë të sheqerit për arsye ekonomike, por kalojnë edhe më pak kohë në ambiente me ajër të kondicionuar.

Studiuesit parashikojnë se, nëse ndotja vazhdon pa kontroll, deri në vitin 2095 konsumimi ditor i sheqerit mund të rritet me gati 3 gram për person, duke vënë më shumë në rrezik grupet më të ndjeshme. Pasojat shëndetësore janë serioze: rritje e rrezikut për obezitet, diabet dhe sëmundje kardiovaskulare.

Shoqata Amerikane e Zemrës rekomandon që sheqeri i shtuar të mos kalojë 6% të kalorive ditore, jo më shumë se 36 gram për burrat dhe 26 gram për gratë.

“Çështjet e shëndetit publik që lidhen me sheqerin janë diskutuar gjerësisht, por nëse i lidhim me ndikimet e ndryshimeve klimatike, problemet vetëm sa do të thellohen”, u shpreh He, duke sugjeruar se politikëbërësit duhet të marrin masa për ta menaxhuar këtë dukuri.

Edhe ekspertë të tjerë e shohin këtë si një dimension të ri të rrezikut. Charlotte Kukowski, studiuese në Universitetin e Cambridge-it, tha se rezultatet tregojnë një kanal më pak të diskutuar se si ngrohja globale prek mirëqenien njerëzore.

“Veçanërisht shqetësues është fakti se grupet më vulnerabil, ata me më pak mundësi për t’u përshtatur, janë edhe më të ekspozuar ndaj temperaturave të larta dhe më të rrezikuar nga sëmundjet që lidhen me dietën”, shtoi ajo.

Ende mbetet e paqartë se si ndryshimet klimatike do të ndikojnë në ndryshimin e zakoneve ushqimore të njerëzimit në të ardhmen, por studimi sjell një paralajmërim të fortë për rreziqet që lidhen me shëndetin dhe pabarazinë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos