
Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan të mërkurën mbrëma zyrtarisht se do të dërgojnë në Ukrainë 31 tanke të avancuar M1 Abrams.
Lajmin e ka bërë të ditur presidenti i vendit Joe Biden në një deklaratë për mediat ndërsa shtoi se mjetet luftarake do të dërgohen në Kiev brenda disa muajve.
Ky vendim i SHBA-ve pritet që të shihet si një hap pozitiv në thyerjen e një bllokimi diplomatik me Gjermaninë mbi atë që mund të jetë mënyra më e mirë për ndihmuar Kievin në luftën kundër Rusisë.
Presidenti Joe Biden e njoftoi vendimin në një fjalim në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa deklaroi se tanket janë të nevojshme për të ndihmuar ukrainasit "të përmirësojnë aftësinë e tyre për të manovruar në terren".
Biden falënderoi Gjermaninë për vendimin e marrë së fundmi për të furnizuar Ukrainën me tanke Leopard 2.
“Rusia po pret që të ndahemi,” tha Biden për SHBA-të dhe aleatët evropianë. "Por ne jemi plotësisht dhe tërësisht të bashkuar."
Kujtojmë se deri më tani Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mbajtur një qëndrim të ftohtë ndaj idesë së dërgimit së tankeve Abrams, të cilët janë të vështirë për t'u mirëmbajtur.
Për këtë arsye SHBA ka tentuar që të bindë Gjermaninë që të dërgonte tanket e saj Leopard 2 në Ukrainë pasi ata janë më të lehtë për t'u përdorur nga ushtria vendase. (A2 Televizion)