
Efektet tragjike të pandemisë koronavirus nuk po frenohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në 24 orët e fundit u regjistruan rreth 1200 viktima dhe më tepër se 71 mijë raste të reja, duke përkeqësuar dhe më tej emergjencën shëndetësore.
Që prej shpërthimit të pandemisë në SHBA raportohen mbi 3.9 milionë të infektuar nga Covid-19 dhe më shumë se 143 mijë jetë të humbura. Së fundmi rezultoi pozitiv dhe një punonjës stafi i Shtëpisë së Bardhë. Administrata e presidentit Donald Trump njoftoi se do të shpërndajë 5 miliardë dollarë amerikanë për strukturat spitalore dhe azilet e pleqve, për të luftuar përhapjen e virusit.
Paratë do të përdoren për të punësuar staf shtesë, rritur aftësinë testuese, kontrolluar infeksionin si dhe blerë mjete teknologjike. Përkundër situatës që përkeqësohet dita-ditës, Trump mbrojti sërish idenë e rihapjes së shkollave.
“Dëshiroj t’i shikoj shkollat e hapura, 100% të hapura dhe do ta bëjmë këtë në mënyrë të sigurt dhe me shumë kujdes. Kur shikon statistikat, ato që unë lexoj lidhur me fëmijët dhe sigurinë, do të shikoni që janë shumë të mira. Ata kanë një sistem imunitar tepër të fortë”.
Në një intervistë për Fox News, Trump njoftoi se do të pranonte të ishte amerikani i parë që do t’i injektohej një vaksinë kundër Covid-19. Kjo vjen pasi Uashingtoni arriti një marrëveshje të rëndësishme me kompaninë gjermane Pfizer për prodhimin e 100 milionë dozave të një vaksine që lufton koronavirusin e ri. Kostoja është rreth 2 miliardë dollarë. Në marrëveshje përcaktohet e drejta e qeverisë së Uashingtonit për të siguruar 500 milionë doza të tjera nga Pfizer. (A2 Televizion)